Policia harton plan operativ për festivalin “Sunny Hill”
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, për të siguruar mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill”, ka hartuar planin operativ, në të cilin parashihen detyra konkrete për zyrtarët policorë të angazhuar në këtë operacion.
Siç dihet tashmë, transporti i pjesëmarrësve është i organizuar nga Komuna e Prishtinës, ndërsa për pjesëmarrësit që kanë lejen përkatëse (hyrja do të jetë në rrugën Prishtinë - Mitrovicë e dalja në autostradë).
Policia njofton se për mbarëvajtje dhe evitim të ngarkesave në trafik, nga policët do të bëhen ridrejtime të automjeteve, bllokime të plota dhe të pjesshme të rrugëve që çojnë në atë zonë.
Përjashtimisht do të lejohen automjetet e policisë, ndihmës së shpejtë, zjarrfikësve, si dhe mjetet e akredituara në shërbim të Festivalit.
“Policia falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe kërkon që gjatë kohës kur mbahet festivali të shfrytëzohen rrugët e tjera alternative nga qytetarët që të shmangin ngarkesën në trafik”, thuhet në njoftim.
Festivali do të mbahet nga data 25.07.2024 deri më 28.07.2024, në fshatin Bërnicë të Prishtinës. /Zëri