AGK: Të ndalen sulmet brutale të Vetëvendosjes kundër “Periskopit” dhe “Nacionales”
Foto: Laura Hasani

AGK: Të ndalen sulmet brutale të Vetëvendosjes kundër “Periskopit” dhe “Nacionales”

Aktuale July 25, 2024 - 12:26

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar edhe sot, duke thënë se sulmet, fyerjet dhe linçimet e zyrtarëve të partisë në pushtet Vetëvendosjes kanë vazhduar me intensitet edhe ditën e enjte.

Sipas AGK-së, një asamblist i kësaj partie në Prizren, Selman Sokoli, duke iu referuar gazetarëve të Nacionales dhe Periskopit, ka shkruar “këta i paskan dresiratë si zagartë”.

Fahri Beqa, i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani, ka shkruar në Facebook: “Radoiçiqi e Vuçiçi të dhanë paratë”, duke iu referuar një lajmi për Ilir Mirenën - drejtues i portalit “Periskopi”.

Qëndrim Krasniqi, i Lëvizjes Vetëvendosje në Britani të Madhe, ka shkruar se: “portalet po e sulmojnë RTK-në në kor”, me urdhër të Radoiçiqit.

“Kjo gjuhë denigruese dhe linçuese po i vë seriozisht në rrezik të gjithë gazetarët që punojnë në këto dy media dhe është koha e fundit që Vetëvendosja dhe njerëzit e saj të ndalen nga kjo praktikë e rrezikshme dhe papranueshme”, thuhet në reagimin e AGK-së. /Zëri

Image