Tërheqja e trupit të Faton Hajrizit, avokati Koci niset drejt Serbisë
Avokati Arianit Koci, i autorizuar si përfaqësues i familjes së Faton Hajrizit, është nisur për në Serbi, me synimin e vetëm, për të tërhequr trupin e të ndjerit.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar avokati Koci, i cili po ashtu tha se edhe pse do të vazhdojë tutje në realizimin e misionit të tij, “ka tendenca të zvarritet kthimi i kufomës”.
“E kam gjetur vendin se ku po mbahet trupi. Nuk jam i shoqëruar me askënd.Posa hyra në Serbi. Tash po vazhdoj tutje me aktivitete në realizimin e misionit tim. Për momentin nuk mund të ndaj më shumë informata me mediat dhe publikun. Sidoqoftë, ka tendenca me u zvarritë kthimi i kufomës”, tha Koci.
Ndryshe, i arratisuri nga Burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, është raportuar të jetë vrarë nga autoritetet në Serbi.
Hajrizi ka qenë në kërkim nga autoritetet serbe, pasi më 18 korrik është raportuar se e ka vrarë një zyrtar policor serb dhe e ka plagosur një tjetër, gjatë një kontrolli rutinor në Lloznicë të Serbisë, qytezë në afërsi me Bosnjë e Hercegovinën.