Kryeziu: Vendimi i BE-së për serbët e Kosovës prek sovranitetin e vendit, ndërlidhet me Asociacionin
Foto:Laura Hasani

Kryeziu: Vendimi i BE-së për serbët e Kosovës prek sovranitetin e vendit, ndërlidhet me Asociacionin

Aktuale July 25, 2024 - 08:41

Profesori i së drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se vendimi i Këshillit të BE-së që qytetarët serbë të Kosovës të lëvizin me pasaporta të Serbisë në Zonën Schengen, është qasje e gabuar dhe denigruese.

Ai ka thënë se ky vendim prek interesat institucionale të dhe rendit juridik e kushtetues të Kosovës.

Kryeziu ka thënë se ky vendim ndërlidhet me formimin e Asociacionit, me të cilin sipas tij parashihej shuarja e komunave paralele ku janë lëshuar dokumente.

“Veprim i gabueshëm dhe i ndërlikuar për shkak se preken interesa institucionale dhe po ashtu rendi juridik dhe kushtetues i Kosovës. Kjo ngërthehet edhe me çështjen e Asociacionit të qytetarëve serbë dhe gjithë kjo, se këta kanë disa komuna paralele në kuadër të saj që lëshuan dokumentacione për shërbyesit civil dhe në morinë e tyre dokumenteve është edhe letërnjoftimi dhe pasaporta. Është konsideruar se me formimin e Asociacionit do të zhduken këto elemente dhe të integrohen në sistemin ligjor dhe kushtetues të Kosovës”, ka thënë Kryeziu në emisionin “InfoNata” në Tëvë 1.

Sipas tij, ky vendim dekurajon integrimin e serbëve të Kosovës.

Për këtë vendim kanë reaguar edhe Qeveria dhe Presidenca, të cilat e kanë kundërshtuar këtë vendim.