Gruaja e ish-ushtarit Blerim Ramadani kërkon angazhim nga Qeveria për lirimin e tij

Gruaja e ish-ushtarit Blerim Ramadani kërkon angazhim nga Qeveria për lirimin e tij

Aktuale July 24, 2024 - 20:03

Para një jave, më 17 korrik, Blerim Ramadani, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është arrestuar nga Policia e Maqedonisë së Veriut në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

Bashkëshortja e tij, Valbona Ramadani, ka theksuar se ndalimi i tij është i padrejtë dhe në akuza të fabrikuara nga Serbia, dhe ka kërkuar lirimin e tij.

“Po kemi kontaktuar, mirë është, si shëndeti po ashtu edhe trajtimi. Siç e dini, paraburgimi i është caktuar masa 30 ditë. Ky ndalim është i padrejtë dhe në akuza të fabrikuara nga shteti serb, që pritet nga ta por jo nga shteti mik i Kosovës. Ne kuptojmë që kjo listë është me Interpol, ka qenë edhe më herët, por qeveritë tjera e kanë pasivizuar dhe kanë lëvizur veteranët e luftës lirshëm. Ndalimi është i padrejtë dhe ai duhet të lirohet menjëherë”. ka thënë Ramadani në Rtv Dukagjini.

Ajo ka theksuar se avokatët janë caktuar dhe ambasada është angazhuar shumë në këtë rast.

“Unë sapo u ktheva pas takimit me të. Ai po trajtohet mirë dhe gjithçka është në rregull. Janë caktuar avokatët dhe gjithashtu ambasada është angazhuar mjaft shumë”, ka theksuar ajo.

Në pyetjen nëse ka përpjekje të mjaftueshme nga qeveria dhe ambasada për të mos lejuar ekstradimin e tij në Serbi, ajo ka treguar se kontakti i vetëm deri tani është me ambasadorin e Kosovës në Maqedoni, të cilin e falënderon shumë.

“Organizata e Veteranëve i ka shkruar kryeministrit dhe i kanë kërkuar takim për të biseduar, por nuk ka përgjigje nga ana e tij. I bëjmë thirrje të angazhohen në lirimin e tij”, ka shtuar ajo.