Në gjashtë komuna të Kosovës themelohen zyrat mobile për ofrim të ndihmës juridike falas
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se në gjashtë komuna të Kosovës janë themeluar zyrat mobile për ofrim të ndihmës juridike falas.
Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Haxhiu tha se sot është nënshkruar vendimi për themelimin e këtyre gjashtë zyrave në Podujevë, Klinë, Vushtrri, Lipjan, Shtime e Rahovec.
“Themelohen në gjashtë komuna zyrat mobile për ofrim të ndihmës juridike falas Sot kam nënshkruar vendimin për themelimin e gjashtë zyrave mobile në komunën e Podujevës, Klinës, Vushtrrisë, Lipjanit, Shtimes dhe Rahovecit për t’ju ofruar kështu qytetarëve qasje direkte në ndihmën juridike falas përmes këtyre zyrave. Shtrirja e ndihmës juridike falas, qasja në drejtësi dhe mundësitë e barabarta për qytetarët janë qëllim i yni andaj hapja e këtyre zyrave është një hap shumë i rëndësishëm për plotësimin e tyre”, ka shkruar Haxhiu