Osmani ia dorëzon Medaljen Presidenciale të Meritave rokgrupit “Oda”

Osmani ia dorëzon Medaljen Presidenciale të Meritave rokgrupit “Oda”

Aktuale July 24, 2024 - 13:14

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të mbajtur në Presidencë ia ka dorëzuar Medaljen Presidenciale të Meritave rokgrupit “Oda” për promovimin e vlerave muzikore si pjesë e gjeneratës së artë të rokut në Kosovë.

Në emër të grupit, Medaljen e ka pranuar Dukagjin Lipa, i cili e ka falënderuar presidenten Osmani për dekoratën.

Presidentja Osmani ka theksuar se Oda, sikurse edhe grupe të tjera të viteve ’80, ishin jo vetëm interpretues, por edhe katalizatorë të ndryshimeve shoqërore.

“Muzika e Odës është emblemë e identitetit kulturor dhe krenarisë për Kosovën. Krijimtaria muzikore e tyre vazhdon të jetë dëshmi e fuqisë transformuese të artit në kohë dhe periudha të ndryshme duke u shndërruar po ashtu në një mjet rezistence”, theksoi Osmani.

Ndryshe, Medalja Presidenciale grupit Oda i është ndarë një vit më parë në një ceremoni në të cilën janë nderuar edhe rokgrupe të tjera të asaj periudhe, sikurse edhe institucione e personalitete të tjera, të cilat kanë kontribuuar ndër vite.

Vlen të theksohet se kjo ceremoni u mbajt në prag të fillimit të “Sunny Hill Festival”.

Në pamundësi për të qenë prezente për shkak të agjendës ndërkombëtare, Presidentja Osmani e përgëzoi Lipa, Dua Lipën dhe “Sunny Hill Foundation” për punën e shkëlqyer, duke i uruar që ky edicion të jetë një tjetër sukses i jashtëzakonshëm.