Abdixhiku Kurtit: Marrëzi të kalosh një mandat duke ndarë e përçarë, kur ka kaq shumë punë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke iu referuar qeverisë “Kurti”, ka thënë se të kalohet një mandat i plotë duke ndarë e përçarë, kur ka kaq shumë punë e kaq shumë nevojë, është marrëzi.
Abdixhiku, në një postim të Facebook, ka shpërndarë një video të kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili flet për ndërtimin e çerdheve në këtë komunë.
“Në vend ushqimit populist përplot frustrim e urrejtje, në vend të sulmeve propaganduese parapartiake, ne kemi zgjedhur që kohën tonë t’ua dedikojmë gjërave që kanë rëndësi.
Ndër të tjera, edhe ndërtimin e një çerdheje tjetër në Lipjan, e 5-ta tashmë. Shtëpi edukimi për 100 fëmijë. Model në plot kuptimin e fjalës!”, shkroi Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së tutje thotë se Kosova ka aq shumë potencial e ka aq pak kohë.
“Të kalosh një mandat të plotë duke ndarë e përçarë, kur ke kaq shumë punë e kaq shumë nevojë, është marrëzi.
Në ‘Rrugën e Re’ do të ndërtojmë plot 80 çerdhe të tilla nëpër Kosovë”, shkroi ai.