Forumi për Integritetin e Informacionit i shqetësuar për publikimin nga RTK-ja të artikullit që sulmon dy media në Kosovë
Forumi për Integritetin e Informacionit ka reaguar pas publikimit nga Televizioni Publik i Kosovës të artikullit të mediumit “Slobodna Bosna” ku flet se disa media në Kosovë janë nën kontroll të drejtpërdrejtë nga kryekrimineli Milan Radoiçiqi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Anëtarët e Forumit për Integritetin e Informacionit shprehin shqetësimin dhe dënojnë ashpër sulmet ndaj medieve në Kosovë, që kanë ardhur si rezultat i një artikulli të publikuar në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Dy media, Nacionale dhe Periskopi, janë veçuar dhe janë sulmuar duke u quajtur ‘bashkëpunëtorë të Serbisë’, kjo duke iu referuar një artikulli pa autor të mediumit ‘Slobodna Bosna’”, thuhet në reagim.
Më tej thuhet se “Forumi për Integritetin e Informacionit beson se një gjuhë e tillë rrezikon funksionimin normal dhe të pavarur të medieve, dhe gjithashtu rrezikon sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medial. Forumi për Integritetin e Informacionit është thellësisht i shqetësuar që një artikull i tillë, që nuk përmbush asnjë standard gazetaresk, është ripublikuar në faqen online të RTK-së, dhe është transmetuar në Lajmet Qendrore të Televizionit Publik”.
“Ripublikimi i shkrimit është bërë duke shkelur kodet e etikës të KPM-së dhe të KMSHK-së, që kërkojnë që mediat të verifikojnë lajmet para se t’i publikojnë ato, si dhe duke injoruar të dhënat publike. Gjithashtu, udhëheqësve të të dy medieve në fjalë nuk u është dhënë mundësia që të përgjigjen për pretendimet, pasi që nuk janë kontaktuar para publikimit. Ky zhvillim që përfshin publikimin e një informacioni të paverifikuar kontribuon në rritjen e dezinformimit dhe do të ndikojë në cenimin e integritetit të informacionit në Kosovë”.
“Forumi për Integritetin e Informacionit fton udhëheqësit qeveritarë dhe deputetët e Vetëvendosjes të heqin dorë nga gjuha denigruese dhe fushatat linçuese ndaj gazetarëve dhe medieve. Ne gjithashtu kërkojmë nga Bordi i RTK-së që të ndërmarrë masat e nevojshme ndaj të gjithë përgjegjësve që kanë lejuar këtë publikim, nga Drejtori i RTK1 e deri tek kryeredaktorja e televizionit dhe përgjegjësit e medias online”, thuhet në reagim.