Hamza viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Po paguajnë çmim të lartë dhe shumë të padrejtë
Kryetari i Mitrovicës, njëherësh kandidat i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hamza tha se sa herë që shkon në Hagë për t’i takuar Thaçin, Veselin dhe bashkëluftëtarët e tyre, ndjehet krenar kur i sheh të fortë e të pathyeshëm, por thellësisht i prekur kur vjen koha të ndahet prej tyre.
“Ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe të shtetit po paguajnë çmim të lartë dhe shumë të padrejtë, që luftës për liri, pavarësisë dhe Kosovës t’ia heqin njollat që padrejtësisht na u vunë. U çmallëm për pak orë dhe u gëzova shumë kur i pashë plot shpresë që e vërteta e luftës së UÇK-së, ajo që të gjithë ne e njohim, presin të konfirmohet në fund të këtij procesi të stërzgjatur gjyqësor”, shkroi Hamza.
Tutje tha se Kosova dhe institucionet e saj duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre dhe të vërtetën e luftës.
“Rikthimi i tyre në Kosovë, pranë familjeve dhe popullit të tyre, është akti më i drejtë juridik, politik e moral, i cili padrejtësisht po zvarritet”, tha Hamza.