ZKA-ja akuzon KGJK-në se s’po e lejon kryerjen e auditimit

ZKA-ja akuzon KGJK-në se s’po e lejon kryerjen e auditimit

Aktuale July 23, 2024 - 16:24

Zyra Kombëtare e Auditimit e ka akuzuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës për moslejim të kryerjes së auditimit të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”.

Në komunikatën për media të lëshuar nga ZKA-ja të martën thuhet se KGJK-ja po kufizon fushëveprimin e Auditorit të Përgjithshëm ta ushtrojë mandatin e përcaktuar me Kushtetutë për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit.

“Në përputhje me Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2023-2024, me datë 16 prill 2024, Auditori i Përgjithshëm, përmes Letër Angazhimit të auditimit e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës për fillimin e auditimit përcjellës lidhur me vlerësimin e zbatimit të rekomandimeve të dala nga auditimi paraprak ‘Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore’, i realizuar në vitin 2017. Fokusi i auditimit përcjellës i filluar në vitin 2024 ishte të vlerësohen masat e ndërmarra për zbatimin e rekomandimeve lidhur me procesin e menaxhimit të lëndëve civile nga ana e gjykatave themelore, monitorimin e progresit të gjykatave dhe krijimin e mekanizmave për t’i mbështetur ato në menaxhimin e duhur të lëndëve. Subjekte të këtij auditimi ishin Gjykata Themelore e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit si dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se një gjë e tillë ka ndodhur për herë të parë që nga themelimi i ZKA-së, për çka janë njoftuar edhe kryetari i Kuvendit dhe tri komisione parlamentare, ai për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere si dhe Komisioni për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete.

Në komunikatën e ZKA-së thuhet se Kushtetuta e vendos Auditorin e Përgjithshëm si institucionin më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar.

“Këto akte i japin mandat dhe kompetencë të plotë dhe të vetme të kryej auditime të jashtme në veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike dhe të personave të tjerë juridik shtetëror pa përjashtim; si dhe të auditojë përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve publike nga organet e pushtetit qendror dhe lokal. Auditori i Përgjithshëm është plotësisht i vetëdijshëm lidhur me mandatin, kompetencat dhe pavarësinë që sistemi gjyqësorë ka në shtetin tonë dhe në asnjë rrethanë nuk ndërhyn dhe nuk vlerëson performancën e gjykatësve, nuk kryen inspektimin gjyqësor, administrativ apo aktivitete tjera brenda gjyqësorit dhe as nuk vlerëson meritokracinë e vendimeve gjyqësore”, thuhet në njoftim.