Kryeziu: Kërkesa e Haradinajt për debat me Kurtin, për ta rritur audiencën e emisioneve televizive
Foto: Laura Hasani

Kryeziu: Kërkesa e Haradinajt për debat me Kurtin, për ta rritur audiencën e emisioneve televizive

Aktuale July 23, 2024 - 11:29

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i është përgjigjur sot kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili e ka ftuar publikisht kryeministrin Albin Kurti në një debat televiziv.

Kryeziu ka thënë se kërkesa e Haradinajt për debat me kryeministrin Kurti nuk ka se si të kuptohet ndryshe, veçse pakënaqësi me shikueshmërinë e emisioneve ku merr pjesë ai, e që sipas tij pjesëmarrja e Kurtit do ta ndryshonte këtë, transmeton Zeri.info.

Shkrimi i plotë i Kryeziut:

Më 24 maj, kryeministri Kurti e pat shkurtuar vizitën në Londër dhe nga aeroporti erdhi direkt në seancë për përballje. Atë ditë pritej të kishte debat për 3-vjetorin e punës së Qeverisë, me ftesë të AAK-së. Në konkluzionet e rezolutës, kërkohej shkarkimi i Qeverisë.

Debati nuk u mbajtë në mungesë të deputetëve të opozitës (vetëm 3 deputetë ishin të pranishëm). Në atë seancë mungoi edhe vetë Haradinaj. Tërë dimrin e pranverën këtë vit kanë folur për këtë mocion, prej të cilit hoqën dorë më 24 maj.

Tash, ftesa e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt për debat me kryeministrin Kurti nuk ka se si të kuptohet ndryshe, veçse pakënaqësi me shikueshmërinë e emisioneve ku merr pjesë ai. Sigurisht që sjellja e kryeministrit Kurti në të njëjtin kuadër televiziv do ta ndryshonte këtë.