BE-ja, thirrje Kosovës të përmbahet nga veprimi i njëanshëm për rihapjen e urës së Ibrit
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka thënë edhe sot se rihapja e urës në Ibër është çështje e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe se çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në kuadër të dialogut.
“Bisedimet janë duke vazhduar dhe BE-ja po bashkëpunon ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm”, tha Stano, transmeton Zeri.info.
Siç shton ai, të gjitha marrëveshjet nga dialogu, duke përfshirë edhe ato për urën në Ibër, duhet të zbatohen plotësisht.
Stano po ashtu ka deklaruar se teknikisht ka përfunduar puna për rivitalizimin e urës në Mitrovicë.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ditë më parë ka pasur një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, ku temë diskutimi ka qenë rihapja për qarkullim e urës mbi Ibër, por deri tani nuk ka një vendim, përveç paralajmërimeve se e njëjta do të hapet së shpejti. /Zëri