PDK-ja dhe LDK-ja e dërguan statutin e ri të UP-së në Kushtetuese, Nagavci: Do të fitohet edhe kjo betejë
Foto: Laura Hasani

PDK-ja dhe LDK-ja e dërguan statutin e ri të UP-së në Kushtetuese, Nagavci: Do të fitohet edhe kjo betejë

Aktuale July 22, 2024 - 22:41

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se pas Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dërguar statutin e ri të Universitetit të Prishtinës në Gjykatën Kushtetuese.

Nagavci në reagimin e saj tha se Universiteti i Prishtinës do ta fitojë edhe këtë betejë dhe sipas saj ngadalë por sigurt do të kthehet aty ku e ka vendin.

“Universitet me autonomi, integritet akademik e kredibilitet. Vend ku do të prodhohen kuadro cilësore e klanet joprofesionale dhe joparimore nuk do të kenë vend më” – tha ministrja.

Sipas Nagavcit, dy partitë e lartcekura janë koordinuar për të penguar ndryshimet e mëdha, pozitive dhe reformat institucionale.

Tutje Nagavci shtoi se si ministre e Arsimit dhe si Qeveri kanë përkrahur Universitetin e Prishtinës dhe universitetet e tjera publike drejt vetërregullimit, avancimit të cilësisë dhe performancës, meritrokracisë si dhe autonomisë akademike.

Madje, Nagavci tha se edhe rezultatet në këto drejtime janë evidente, të matshme e konkrete.

“Ndryshimet e mëdha e pozitive që janë bërë së fundi në Universitet kanë prishur rehatinë e atyre që dikur kanë kontrolluar vendimmarrjen në UP, atyre që sot në vend se t’u gëzohen rezultateve evidente, nuk zgjedhin mjet e rrugë për të penguar reformat. Këto veprime të LDK-së, PDK-së dhe eksponentëve të tyre duke tentuar ndërhyrjen në aktet dhe politikat e universitetit, cenojnë rëndë autonominë e Universitetit sikurse janë tentativë për rikthimin e UP-së hapa pas ku ishte” – tha e para e MASHT-it.

“Por, kthim prapa nuk ka” – shtoi ajo tutje.

E njëjta tha se profesorët e Universitetit të Prishtinës që janë deputetë nga këto dy parti që kanë nënshkruar kërkesën për të dërguar statutin në Gjykatë Kushtetuese, ashtu si ata që kanë punuar në draftimin e kërkesës, përveç se joprofesionalizëm dhe atakim i institucionit ku kanë marrëdhënie pune, shpërfaqin dhe ndërhyrjet që nga paslufta që LDK e PDK kanë bërë në UP dhe universitetet e tjera publike.

Madje, Nagavci tha se sa më të koordinuar PDK dhe LDK në luftimin dhe sabotim të vullnetit qytetar dhe reformave shtetërore të ndërmarra në shumë sektor, aq më të përkushtuar e të vendosur do të jetë Qeveria për punë këmbëngulëse drejt realizimit të tyre.

PDK më 18.07.2024 ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese statutin e UP-së, ndërsa ngjashëm veproi edhe LDK një ditë më pas, më 19.07.2024.