Presidenca: Ligjërisht i pazbatueshëm në Kosovë, vendimi i BE-së për lëvizjen e lirë me pasaporta ilegale serbe
Foto: Laura Hasani

Presidenca: Ligjërisht i pazbatueshëm në Kosovë, vendimi i BE-së për lëvizjen e lirë me pasaporta ilegale serbe

Aktuale July 22, 2024 - 17:58

Presidenca e Kosovës ka thënë se vendimi i Këshillit të BE-së sot që të lejohet qarkullimi pa viza për qytetarët me pasaporta të jashtëligjshme serbe të lëshuara në Kosovë, dëmton kosovarët, Kosovën dhe karakterin multientik të saj si dhe vetë BE-në.

Këshilltari i presidentes, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka bërë të ditur se Republika e Kosovës nuk merr asnjë përgjegjësi për shkeljet që bartësit e këtyre dokumenteve të jashtëligjshme mund të bëjnë në zonën Schengen.

“Legjitimimi i këtyre pasaportave të jashtëligjshme nga BE-ja, saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë, e në veçanti në një periudhë kur një numër i madh i qytetarëve të etnisë serbe në Kosovë po pajiseshin me pasaporta të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj. Për më tepër, këto dokumente që përmbajnë informacione të paverifikuara, mund të barten nga persona që mund të cenojnë drejtpërdrejt rendin dhe sigurinë edhe në BE”.

Tutje, sipas Kupinës, ky vendim i BE-së, ligjërisht është i pazbatueshëm në Kosovë, ndaj pasojat e tij nuk mund t’i marrë Kosova dhe institucionet e saj, sikurse as përgjegjësinë juridike dhe atë politike.

“Për më tepër, vendimi i BE-së mbështet strukturat dhe prezencën ilegale të Serbisë në Kosovë dhe bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me standardet e vetë BE-së në fushën e sundimit të ligjit. Kosova për këtë vendim nuk është konsultuar fare, megjithëse institucionet tona i kanë dërguar vazhdimisht argumentet tona pse ky vendim është i dëmshëm”.

“E drejta e lirisë së lëvizjes duhet të ekzistojë gjithnjë, por jo në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës si dhe përpjekjeve e angazhimit tonë për sundim të ligjit në çdo cep të Kosovës”, thonë nga presidenca. /klankosova