Kurti priti në takim Damiano Baffan, flasin për bashkëpunimin mes Kosovës dhe komunave arbëreshe në Itali

Kurti priti në takim Damiano Baffan, flasin për bashkëpunimin mes Kosovës dhe komunave arbëreshe në Itali

Aktuale July 22, 2024 - 17:48

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim kryetarin e Komunës Strigari, Damiano Baffa, komunë kjo arbëreshe në rajonin e Kalabrisë dhe në afërsi të qytetit të Kozencës, në jugun e Italisë.

Fillimisht, kryeministri i uroi mirëseardhjen në Kosovë kryetarit Baffa, duke shprehur kënaqësinë dhe nderin që ta presim në këtë vizitë e ta kemi në mesin tone, përcjell Klankosova.tv.

Nga ana e tij, kryetari Baffa tha se ndihet i nderuar dhe i lumtur që ndodhet në Kosovë, e ku vlerësoi pritjen kushtuar tij, të cilën e cilësoi të jashtëzakonshme. Ai shtoi se komuniteti i arbëreshëve në Itali, në zonën e Kalabrisë, që 600 vjet ruajnë traditën, kulturën e gjuhën arbëreshe.

Së bashku, kryeministri Kurti dhe kryetari Baffa, diskutuan mbi mundësitë për bashkëpunim ndërmjet Komunës së Strigarit dhe komunave arbëreshe me komunat e Kosovës, e ato në projekte të cilat prekin veçanërisht fushën e kulturës.

Kurti shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim edhe në organizimin e aktiviteteve të cilat qëllim kanë promovimin e kulturës arbëreshe në Kosovë dhe anasjelltas, por edhe seminare të përbashkëta për të thelluar dijen mbi njohjen e rolit të rëndësishëm të arbëreshëve.

Teksa kryetari Baffa i dhuroi kryeministrit Kurti ndër të tjera edhe librin me poezi të autorit arbëresh, Giuseppe Serembe, ai e ftoi kryeministrin edhe në një vizitë në Strigari dhe komunat arbëreshe, në të ardhmen e afërt.

I pari i qeverisë e falënderoi përzemërsisht për ftesën, bisedën e takimin e zhvilluar, duke shprehur dëshirën për bashkëpunim të ngushtë e produktiv mes vendeve.

Image
Image
Image