Kërkohet nga bizneset të respektojnë privatësinë e qytetarëve në rastet e aplikimit të marketingut përmes thirrjeve ose mesazheve
Agjencia për Informim dhe Privatësi, përmes një njoftimi publik, ka bërë të ditur se ka pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave nga qytetarët të cilët kanë pranuar marketing të drejtpërdrejtë (SMS ose thirrje telefonike) nga biznese të ndryshme, me qëllim të promovimit të produkteve dhe ofrimit të shërbimeve të tyre.
Në reagim thuhet se në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin e bizneseve mbi rëndësinë e respektimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, është thelbësore që çdo aktivitet i marketingut të drejtpërdrejtë të përputhet me kriteret ligjore. Ashtu siç është marketingu pjesë e rëndësishme e suksesit të bizneseve, respektimi i kritereve ligjore gjithashtu ndikon në suksesin dhe reputacionin e bizneseve.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ju bën thirrje bizneseve se në rast të aplikimit të marketingut përmes thirrjeve telefonike apo dërgimin e SMS-ve te qytetarët, të sigurohen se ky veprim të jetë në harmoni me ligjin, duke aplikuar veprimet si në vijim:
- Të marrin pëlqimin paraprak: Pëlqimi duhet të jetë i qartë, i informuar dhe i dhënë në mënyrë të lirë nga qytetarët për përpunimin e të dhënave të tyre personale për qëllime marketingu. Ky pëlqim duhet të merret para fillimit të aplikimit të marketingut.
- T’i japin të drejtën për tërheqje: Qytetarët (konsumatorët) duhet të kenë të drejtën për të tërhequr pëlqimin e tyre në çdo kohë dhe kjo duhet të jetë një procedurë e lehtë për t’u ndjekur dhe pa shpenzime.
- Të marrin të dhënat minimale: Përpunimi i të dhënave personale duhet të kufizohet vetëm në të dhënat personale që janë të domosdoshme për qëllimin e përcaktuar të marketingut.
- T’i njoftojnë në mënyrë të qartë: Qytetarët (konsumatorët) duhet të informohen në mënyrë të qartë për identitetin e kontrolluesit (biznesit) të të dhënave dhe qëllimin për të cilin do të përdoren të dhënat e tyre personale.
Tutje, në reagim thuhet se zbatimi i këtyre masave do të ndihmojë jo vetëm në respektimin e ligjit, por edhe në ndërtimin e besimit dhe transparencës së bizneseve me qytetarët.
“Mosrespektimi i këtyre kërkesave mund të rezultojë në gjoba të mëdha dhe dëmtim të reputacionit të biznesit”.
Për të qenë në harmoni me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi në bashkëpunim me OSBE-në, ka përgatitur Udhëzuesin për Përpunimin e të Dhënave Personale për Qëllim të Marketingut të Drejtpërdrejtë, të cilin e gjeni në këtë link.