Szunyogu në takim lamtumirës me liderët, rikonfirmon përkushtimin e BE-së në mbështetje të Kosovës
Foto: Facebook

Szunyogu në takim lamtumirës me liderët, rikonfirmon përkushtimin e BE-së në mbështetje të Kosovës

Aktuale July 22, 2024 - 15:28

Me përfundimin e mandatit të tij, ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, pati një sërë takimesh lamtumire me liderë të Kosovës.

Në një njoftim në faqen në Facebook të Zyrës së BE-së në Kosovë thuhet se në takimin e tij me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ambasadori Szunyog e ka falënderuar për bashkëpunimin e tyre dhe ka rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të BE-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.

Ai thuhet se është takuar gjithashtu edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, duke shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e tyre ndër vite.

“Ambasadori Szunyog përsëriti rëndësinë e miratimit të ligjeve që përputhen me standardet evropiane për të ndihmuar Kosovën të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit të lamtumirës me kryeministrin Albin Kurti, thuhet se Szunyogu e ka falënderuar kryeministrin për bashkëpunimin dhe ka rikonfirmuar rolin e BE-së si një partner stabil dhe i pazëvendësueshëm për Kosovën.

“Ai inkurajoi përshpejtimin e reformave të nevojshme për rrugën e Kosovës në BE”, thuhet në njoftim.

Ambasadori Szunyog thuhet se i ka dhënë lamtumirën e fundit edhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, duke e falënderuar për bashkëpunimin në çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me integrimet evropiane.

“Ai theksoi se rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, e vetmja platformë praktike për adresimin e çështjeve të pazgjidhura”, thuhet në njoftim.

Në fund, në takimin me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi, Szunyogu thuhet se ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e mirë gjatë mandatit të tij.

“Ai theksoi rëndësinë e respektimit të plotë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve joshumicë për përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së”, thuhet në njoftim.