Krasniqi: Angazhimi i Bidenit për Kosovën ka qenë i pandërprerë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka falënderuar presidentin e SHBA-së, Joe Biden, për ndihmën e vazhdueshme që ka bërë për Kosovën nga të gjitha pozicionet publike ndër vite.
Kreu i PDK-së tha se në rrugëtimin e Kosovës për liri, pavarësi e zhvillim, presidenti Biden ka qenë gjithmonë një shtyllë e fortë mbështetëse.
“Si senator, si zëvendëspresident dhe si president i SHBA-së, angazhimi i Joe Bidenit për shtetin tonë ka qenë i pandërprerë. Lidhja e presidentit Biden me Kosovën tejkalon pozicionet që ka bartur ai dhe shtrihet edhe në rrafshin familjar. Beau Biden, djali i tij i ndjerë, pas çlirimit të Kosovës, kishte kontribuuar në ndërtimin e institucioneve tona. Sot, me krenari, një rrugë e vendit tonë mban emrin e tij”, tha Krasniqi.
Kryetari i PDK-së ka kujtuar pikërisht ditën e djeshme të tërheqjes së Bidenit nga gara presidenciale ku korrespondonte me 14-vjetorin e vizitës së delegacionit kosovar në Shtëpinë e Bardhë, të cilit i printe ish-kryeministri Thaçi.
“Atë ditë, ish-zëvendëspresidenti Biden, duke mos e fshehur mbështetjen dhe admirimin e tij për asnjë moment, e kishte quajtur ish-lryeministrin Thaçi si ‘George Washingtoni i Kosovës’”.
President Biden, Kosova, populli ynë, janë me fat dhe shumë të lumtur që përkrah kanë pasur një mbështetës kaq vokal dhe të rëndësishëm siç ishit ju. Pa ju, historia e suksesit të shtetit tonë nuk do të ishte e njëjtë. Ky sukses do të mbetet testament i gjithëkohshëm i kësaj lidhjeje të veçantë. Faleminderit përjetësisht – ty dhe familjes Biden", tha Krasniqi. /Zëri