Bideni tërhiqet nga gara presidenciale, Osmani dhe Kurti vlerësojnë rolin e tij për Kosovën
Foto: Laura Hasani

Bideni tërhiqet nga gara presidenciale, Osmani dhe Kurti vlerësojnë rolin e tij për Kosovën

Aktuale July 22, 2024 - 13:08

Presidenti aktual i SHBA-së, Joe Biden, njoftoi të dielën se do të tërhiqet nga gara presidenciale, duke thënë kështu se mbështetja e tij do të jetë për Kamala Harrisin, e cila aktualisht mban pozitën e zëvendëspresidentes.

E ndaj një vendimi të tillë nuk kanë munguar as reagimet e krerëve të shtetit të Kosovës, presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Presidentja Osmani ka vlerësuar lart mbështetjen që Bideni ia ka dhënë Kosovës.

“Nga ditët e tij si senator amerikan deri në mandatin e tij si zëvendëspresident dhe tani si president, Joe Biden gjithmonë ka mbrojtur lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Mirënjohja e popullit të Kosovës do të mbetet gjithmonë e thellë. I urojmë presidentit Biden një vazhdim të suksesshëm të mandatit të tij dhe gjithë të mirat për të, për Jill Biden dhe familjen e tij në vitet në vijim”, shkroi Osmani në “X”.

E kryeministri Albin Kurti ka thënë se Joe Biden ka qenë njëri nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës.

“Për dekada me radhë, Jose Biden ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj dhe avokuesi më i palodhur i Kosovës. Njoftimi i presidentit Biden shënon fundin e një epoke. Bota — dhe veçanërisht Kosova — është një vend më i mirë dhe më i sigurt për shkak të kontributeve të tij të jashtëzakonshme. Për këtë, ne do të jemi gjithmonë mirënjohës”, shkroi Kurti në “X”.

Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se do t’i japë fund kandidaturës së tij për rizgjedhje.

Lidhur me këtë ai ka thënë se “është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit”.

Veprimi i tij vjen katër muaj përpara se amerikanët të shkojnë në votime, në garën për Shtëpinë e Bardhë.