Komisioni Hetimor e fton për intervistim ish-drejtoreshën Musmurati për tekstet shkollore
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, nuk është intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, për faktin se Sadriu nuk ka qenë në detyrë gjatë kohës kur është bërë subvencionimi i librave.
Anëtarët e Komisionit kanë vendosur që ish-drejtoresha Besianë Musmurati të thirret për të raportuar.
Megjithatë, Lushaku mori disa pyetje nga deputetët, të cilat do t’i përgjigjet me shkrim.
“Kam marrë detyrën si udhëheqëse e arsimit më 5 shkurt, për këtë nuk kam qenë në detyrë. Gjithsesi, jam në gjendje të paraqesë të dhënat që ka drejtoria e arsimit. Kam pritur se do dërgoni ndonjë pyetje më specifike ka mundësi që nuk i kam të dhënat e sakta të më jepni kohë për t’i kthyer ato me shkrim”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, kërkoi që për raportim të vijë ish-drejtoresha e Arsimit në kryeqytet, Besianë Musmurati.
“Po konsideroj që ndoshta për të pas një pasqyrë më të mirë për periudhën 2023/24, do ishte ta kemi drejtoreshën që ka qenë në atë kohë. E vlerësojmë gatishmërinë e drejtoreshës së tanishme për t’u përgjigjur. Nëse keni ndonjë raport së si keni raportuar në Ministri, disa raporte që i kemi marrë nga Ministria e Financave na del qe subvencionimi ka zgjat deri në 2024. Raporti del se në muajin shtator vështirësi për subvencionim kanë pas fëmijët e moshës 6-vjeçare, sa ka qenë numri i tyre në komunën e Prishtinës. Mungesa që ka qenë më libra në fillim të vitit shkollorë, cilat libra kanë qenë në mungesë dhe deri në cilën periudhë kohore”, ka thënë Haxhiu.
“Çfarë ka ndodhur me prindërit që nuk janë rimbursu, a konsideroni që shuma 50 euro për klasën e parë deri në të pestën ka qenë e mjaftueshme për fëmijët që kanë qenë në klasë. Sa kanë kushtuar librat specifikisht për secilën klasë, a ka qenë më e lart së 50 euro. A kanë pas mundësi fëmijët të pajisen me libra shkollorë. A janë të obliguar që prindërit ose fëmijët librat e vitit të kaluar më i kthy prapë në shkollë, nëse janë detyru dy, tri libra me i ble vetë a janë rimbursu edhe për ato”, shtoi Haxhiu.
Për të raportuar ish-drejtoresha Musmurati kërkoi edhe deputeti i pushtetit, Arbër Rexhaj.
“Nuk ka kuptim të i marrim dy drejtoreshat se edhe nuk kemi kohë, nëse drejtoresha shpreh përgjegjësinë me u përgjigj”, ka thënë Rexhaj.
Lushaku-Sadriu ka thënë se është e gatshme për pyetje pas datës 5 shkurt, kur ajo ka marrë pozitën.
“Çfarëdo informacioni që ju mendoni se e ka DKA-ja, unë ju përgjigjem me shkrim, mënyrën e menaxhimit e ka bërë drejtoresha që ka qenë në pozitë paraprakisht. Kam ardh sot me ua dëshmu gatishmërinë time për përgjigje në atë kohë”, shtoi Lushaku-Sadriu. /EO