Kur pritet që Kosova të kthehet në agjendën e Këshillit të Ministrave të KiE-së?

Kur pritet që Kosova të kthehet në agjendën e Këshillit të Ministrave të KiE-së?

Aktuale July 22, 2024 - 08:36

Nga partia në pushtet thonë se Kosova do të përfshihet së shpejti në agjendën e Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, por nga opozita thonë se pa bërë hapa konkretë drejt zbatimit të Asociacionit, Kosova nuk do të anëtarësohet në këtë organizatë.

Ishte në fazën e fundit, mirëpo Kosova dështoi që gjatë muajit maj të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës sepse Komiteti i Ministrave, nuk e përfshiu në agjendë çështjen e anëtarësimit,

Kosova nuk e përmbushi një prej kushteve që disa nga shtetet kryesore kishin vënë, që ishte dorëzimi i draft-statutit për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, thotë se Kosova do të mund të rikthehet në agjendën e Komitetit të Ministrave vetëm atëherë kur bën hapa konkret drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në bazë të gjitha deklarimeve të akterëve ndërkombëtarë të shteteve të më fuqishme në këtë organizatë përfshirë këtu Francën, Gjermaninë, Italinë i kanë dërguar letër kryeministrit Kurti ku ceket se Kosova duhet ndërmarrë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thotë Musliu-Shoshi

Por ndryshe mendon deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni.

“Besoj qe do të rikthehemi së shpejti në agjendën e Këshillit të Ministrave sepse nuk ka pasur ndonjë arsyeje për të mos e pranuar Kosovën në Këshillin e Evropës. Ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për tu anëtarësuar në këtë organizatë. Çështja e Asociacionit nuk ka qenë e paralajmëruar më herët dhe është vendosur krejt në fund dhe konsideroj sa ka qenë një veprim i padrejtë karshi Kosovës”, thotë ajo.

Të dy deputetet tregojnë se cilat do të jenë përfitimet e qytetarëve më anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Është shumë e rëndësishme të bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës nëse ne aspirojmë që një ditë të bëhemi pjesë e familjes së madhe evropiane. Në Këshillin Evropës, shtyllat kryesore janë respektimi i të drejtave të njeriut, respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe respektimi i rendit dhe ligjit, këto kushte Kosova i përmbushur”, thotë deputetja e PDK-së.

Ndërsa, Arbëresha Kryeziu-Hyseni thotë se “çdo qytetar do të ketë të drejtë të ankohet në Gjykatën Evropiane sepse në momentin që në bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës neve na sigurohen këto të drejta”.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e mbështeti raportin e Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, por vendet kryesore evropiane e kushtëzuan votimin me konkretizimin e hapave drejt themelimit të Asociacionit. /Teve1