Pak prokurorë për gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Pak prokurorë për gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë

Aktuale July 21, 2024 - 22:14

Mungesa e një strategjie për gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë po e prolongon vendosjen e drejtësisë për krimet e luftës.

Ky departament po funksionon pa buxhet të mjaftueshëm e me pak prokurorë.

Drejtësia për viktimat e luftës në Kosovë ende nuk po jep rezultatet e pritura. Prokuroria  vazhdon të  ballafaqohet me numër të madh të lëndëve. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, vështirësitë lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, rezultojnë edhe nga mungesa e një strategjie shtetërore për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës.

“Asnjëherë kërkesat buxhetore që bëhen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili menaxhon me sistemin prokurorial, nuk janë realizuar nga institucionet kompetente – Ministria e Financave dhe Kuvendi i Kosovës. Ne mendojmë se buxheti për sistemin prokurorial duhet të jetë adekuat dhe ai buxhet të shfytëzohet në mënyrën sa më të mirë edhe për ngritjen e kapaciteteve dhe veprimeve tjera që ndikojnë në efikasitet në trajtimin e krimeve të luftës”, thotë Astrit Kolaj nga Instituti Kosovar për Drejtësi.

Nga Fondi për të Drejtën Humanitare thonë se vetëm disa kryerës të krimeve në Kosovë janë dënuar, disa vartës, paralimitarë, një hierarki shumë e ulët e personave të cilët gjykohen.

"25 vjet pas përfundimit të luftës e dimë që janë më shumë se 10 mijë viktima civile dhe në anën tjetër janë dënuar vetëm dhjetra persona të cilët kanë kryer krime të luftës në Kosovë. Është moment  i duhur që të krijohen kapacitetet që të fuqizohet prokuroria, jo vetëm me numrin e prokurorëve, për arsye se prokurori është ai i cili mbikëqyr hetimet, i cili e përfaqëson aktakuzën në gjykatë. Duhet të fuqizohet drejtoria për hetimin e krimeve të luftës në kuadër të polciisë së Kosovës. Duhet të fuqizohet Departamenti ppr Krimet e Luftës, qoftë me ekspertë të krimeve të luftës, qoftë me bashkëpunëtorë profesional, të cilët do t’ia lehtësojnë punën prokurorisë”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Ai tha se duhet të fuqizohet drejtoria për hetimin e krimeve të luftës në kudër të policisë së Kosovës, qoftë me ekspert qoftë me bashkëpunëtor profesional të cilët do t`i lehtësojnë prokurorisë.

Ndryshe, gjatë vitit 2023, me vetëm 4 prokurorë,  janë ngritur 9 aktakuza në mungesë për krime të luftës. /rtk