Shkodra: Qytetarët qëllimisht po ndezin zjarre, për 24 orë 15 intervenime
Ngritja e temperaturave ka shtuar zjarret në Kosovë. Një pjesë e zjarreve po bëhet qëllimisht, nga qytetarët duke ndezur hamulloret në tokat e tyre.
Abdusamed Shkodra, zëvendës komandant i Brigadës së Zjarrfikësve, bëri me dije për RTK-në se për 24 orë kanë qenë rreth 15 intervenime për shuarje të zjarreve.
“Ka pasur intervenime në hamullore, pisha, bar të thatë etj. Shumica e zjarreve bëhen nga pronarët që i ndezin qëllimisht për të pastruar tokat e tyre, por me ndezjen e tyre po bëhet dëm i madh dhe po shkaktohet rrezik i përgjithshëm”, tha Shkodra.
Ai deklaroi se ka edhe zjarre që shkaktohen në mënyrë aksidentale. Shkodra ka ftuar qytetarët që të kenë kujdes dhe nëse hasin në ndonjë zjarr menjëherë të lajmërojnë organet që merren me menaxhimin e tyre.