Shpërthimi i sëmundjes Newcastle, AUV-i ngrit masat e kontrollit për ngarkesat që vijnë nga Brazili
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka njoftuar se ka rritur masat e kontrollit për të gjitha importet me produkte të shpezëve që vijnë nga Brazili, pas shpërthimit të sëmundjes Newcastle në Rio Grande do Sul të Brazilit.
Ministria e Bujqësisë dhe Blegtorisë e Brazilit ka lëshuar njoftim për disa shtete, në mesin e tyre edhe për Kosovën, për pezullimin e përkohshëm të certifikimit për eksportet e mishit të shpendëve dhe produkteve të tij.
“AUV menjëherë ka urdhëruar ngritjen e masave të kontrollit për të gjitha ngarkesat qe vijnë nga Brazili. Ku përfshihet kontroll i detajuar i secilës ngarkesë. Për verifikim të hollësishëm për të siguruar që ngarkesa është në përputhje me rregullat ligjore qe përjashtojnë çdo dyshim rreziku pas situatës se re te krijuar nga shpërthimi i sëmundjes Newcastle. Njoftimi i autoritetit shtetëror të Brazilit përfshin dhe njeh entitetin e shtetit të Republikës se Kosovës. Në zbatim të rregullave ndërkombëtare për tregtimin e shpendëve dhe produkteve të tyre i cili garanton transparencë ndaj vendeve që importojnë produktet e tyre. Certifikimi i eksporteve është një marrëveshje dypalëshe midis vendeve dhe autoriteti Brazilian pezullon Certifikatën Ndërkombëtare të Shëndetit në mënyrë që të përmbushë garancitë dhe kërkesat për siguri të produkteve. Në mesin e produkteve janë mishi i shpendëve i freskët, i ftohtë ose i ngrirë i cili tregtohen në vendet e rajon ku përfshihet edhe Kosova. Ne zbatim të procedurave dhe rregullave ligjore masat e nivelit të kontrollit do të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të tregtimit të produkteve ushqimore për menaxhim bazuar në situatë”, ka njoftuar AUV.
AUV ka njoftuar se në bashkëpunim e koordinim me Policinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës, do të ekzekutojë masat për të parandaluar hyrjen e ngarkesave nga zonat e prekura me sëmundjen Newcastle.
Sëmundja Newcastle është një infeksion i shpendëve shtëpiake dhe specieve të tjera të shpendëve me virusin virulent të sëmundjes Newcastle (NDV).
“Nuk është shqetësuese për sigurinë ushqimore apo shëndetin publik. Qytetaret si konsumatorë nuk kanë nevojë për shqetësim. Sëmundja është e karakterit social-ekonomik e cila rrezikon vetëm sektorin e fermave të shpendarisë”, ka njoftuar AUV.