Haxhiu s’i beson Serbisë se është vrarë Faton Hajrizi dhe nëse i njëjti është vrarë në Serbi apo Bosnjë dhe Hercegovinë
Foto: Laura Hasani

Haxhiu s’i beson Serbisë se është vrarë Faton Hajrizi dhe nëse i njëjti është vrarë në Serbi apo Bosnjë dhe Hercegovinë

Aktuale July 20, 2024 - 12:47

“Përdorimi etno-politik i aktit kriminal të vrasjes së një polici në Lloznicë nga ana e Qeverisë së Serbisë është i papranueshëm, i qëllimshëm dhe i parapërgatitur”.

Kështu ka shkruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në reagimin e saj pas vrasjes së shtetasit nga Kosova Faton Hajrizi në Serbi, i cili ishte arratisur nga burgu.

Haxhiu ka hehdhur shumë dyshime në lidhje me atë se si po paraqitet rasti nga autoritetet në Serbi lidhur me këtë rast, pasi sipas saj, informacionet janë kundërthënëse, ndërsa shpreh dyshime se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë

“Nëpërmjet ish zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviqit (SPS), tash kryetar i saj dhe ministër i punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, u dha lajmi se i arratisuri nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra të rënda kriminale, është vrarë.

Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka kërkuar edhe hetim ndërkombëtar e vendor për ikjet nga burgu dhe se shumica e të arratisurve po gjejnë strehë në Serbi. /Zëri

Reagimi i plotë:

Përdorimi etno-politik i aktit kriminal të vrasjes së një polici në Lloznicë nga ana e Qeverisë së Serbisë është i papranueshëm, i qëllimshëm dhe i parapërgatitur.

Nëpërmjet ish zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviqit (SPS), tash kryetar i saj dhe ministër i punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, u dha lajmi se i arratisuri nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra të rënda kriminale, është vrarë.

Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti.

Aktet e ikjes së disa personave me precedent penal, që janë në vuajtje të dënimit apo në pritje të ekzekutimit të dënimit, janë shpeshtuar sistematikisht së fundmi në një mënyrë të tillë që më së paku do mund të kualifikoheshin si koincidencë. Akti i vrasjes të një polici e plagosjes së një tjetri në afërsi të Lloznicës në Serbi janë padyshim vepra të rënda kundër rendit, ligjit e policëve në detyrë zyrtare. Dënimi ndaj vrasjes së policëve është padiskutim akt i dënueshëm në çdo kuptim ligjor e moral. Ne dënojmë fuqishëm çdo veprim të tillë.

E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës. Mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por ndaj çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës. Ofrimi i territorit të Serbisë si mburojë ndaj ndjekjes së organeve penale të Republikës tonë i shërben krimit dhe kontribuon hapur cënimit të stabilitetit institucional e ligjor të Republikës së Kosovës. Shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior.

Në anën tjetër, përdorimi i aktit të vrasjes kriminale të policit nga ministri i brendshëm në Serbi si shtysë e bazë legjitimimi për të krijuar nevojën e një kauze kundërsulmi ndaj shqiptarëve dhe institucioneve të tyre, apo për të krijuar një rrethanë të kinse barazimit me ngjarje të pakrahasueshme në asnjë dimension, është tërësisht i papranueshëm dhe i qëllimshëm. Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike.

Një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës. Si ministre e drejtësisë, ofroj bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim.