Foli me Faton Hajrizin në natën kritike, Gazetari Arsim Lani: Më tha se e kishte kaluar pa therë në këmbë Serbinë…

Foli me Faton Hajrizin në natën kritike, Gazetari Arsim Lani: Më tha se e kishte kaluar pa therë në këmbë Serbinë…

Aktuale July 20, 2024 - 12:33

Gazetari i T7, Arsim Lani ka folur së fundmi rreth bisedës që ka pasur me Faton Hajrizi natën kritike para ngjarjes në Lloznicë.

Lani tha se Fatoni i kishte thënë se e kishte kaluar Serbinë ka therë në këmbë dhe se ata ishin duke u dakorduar edhe për një intervistë pas arratisjes së Hajrizit nga burgu në Smrekonicë.

Ai ndjeu keqardhje për vrasjen e tij dje në Serbi.

Postimi i plotë:

Ai kishte plane tjera për jetën.

Dalja nga burgu, gjatë vikendeve, e kishte bërë të kuptojë sa shumë kish humbur për ato vite prapa grilave dhe sa shumë kishin ecur përpara të tjerët.

Kishte krijuar një besim të madh të unë si drenicak, që nga intervista në burg me të, dhe fliste në telefon me mua për gjërat që vetëm më familjar mund t’i fliste. Kemi biseduar me të edhe nga arratia. Ishim marrë vesh edhe për intervistë, por e priste momentin që të “rehatohej” diku në një vend të Evropës.

Fliste dhe i vinte keq për prindërit që ishin përballur me situata të vështira për shkak të sjelljeve të tij në dhe jashtë burgu. E ndjente vetën fajtor për gjendjen e tyre të rënduar nga shëndeti. Më fliste shumë për nevojën e tij për të krijuar familje. Në çdo telefonatë ai bisedonte për atë nusen që do të jetë nëna e fëmijëve të tij. “Atë ditë që marr vesh se nusja jem është shtatzënë, unë kthehem nga arratia në burg”, m’u përgjigj një ditë kur për të satën herë ia përsërita kërkesës sime të sinqertë për t’u dorëzuar.

Kurrë nuk më foli për vrasje e aq më tepër për vrasjen e shqiptarëve. “Kusha jem” me thoshte “unë armiq i kam veç serbët dhe rusët”. Por me betohej se këto gjëra ia kishte lënë të kaluarës.

Herën e fundit kur folëm ishte ajo nata kritike kur Fatoni u konfrontua me policinë serbe në Loznicë. Ai kishte qenë rrugës së arratisë nga Serbia e mua më thoshte se ndodhej diku në një vend të BE-së. Shfaqej i lumtur që kishte kaluar pa “therë në kamë” territorin e Serbisë. Edhe atë natë folëm për nënën e tij sepse e kishte parë intervistën me të ne Frontal. E pyeta nëse e kishte dëgjuar thirrjen e saj për t’u dorëzuar, por sikur s’deshi të hyj në këtë muhabet. “Shumë gjatë kam nejt në atë qeli”, ndërroi temë për t’ju shmangur pyetjes time. Duket s’ishte momenti për t’i dhënë përgjigje thirrje së nënës. U përshëndetëm për t’u dëgjuar prapë – për intervistë.

Të nesërmen u zgjova me lajmin se një policë serbë është vrarë në territorin e Serbisë nga një kosovar. E dita menjëherë se kush mund të jetë ky kosovari. I shkruajta, nuk m’u lajmërua. Duke e njohur, aq sa e kam njohur dhe degjuar per te, e parandjeva fundin e tij në formën si i erdhi.

Mu dhimt shumë. E ndjeva vetën fajtor që mbase si gazetar nuk kam bërë aq sa duhet për një të burgosur ndaj të cilit, pavarësisht veprave të kryera, është bërë krim – që nga koha e UNMIK-ut (2000) e deri me 6 korrik 2024.