IKD: Ligji i ri tjetërson pavarësinë e Komisionit të Pavarur të Mediave
Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media në mënyrë të hapur lë mundësinë e politizimit të këtij institucioni për secilën Qeveri. Kështu u tha gjatë prezantimit të raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi “Politizimi i KPM-së", një analizë kjo e Ligjit të ri për KPM-në, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 11 korrik.
Sipas hulumtuesit të IKD-së, Florian Smajli, kjo qasje cenon drejtpërdrejt vlerat dhe parimet e demokracisë.
“Kjo qasje e ligjit të ri të KPM-së është e rrezikshme dhe rrezikon drejtpërdrejt parimet dhe vlerat që promovojnë demokracinë të mishëruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Smajli.
Hulumtuesi i IKD-së, Gëzim Shala, tha se Qeveria, e cila ka shumicën në Kuvend, e ka në dorë si procedurën ashtu edhe votimin e anëtarëve të KPM-së. Sipas tij, kjo situatë e vendos KPM në mungesë të pavarësisë objektive për funksionimin e saj.
“ Kjo situatë dhe ky projektligj, kjo mënyrë e veprimit dhe mënyra e ndërtimit të këtyre dispozitave ja humb kuptimin përcaktimit të komisionit të pavarur për media si institucion I pavarur kushtetues”, ka thënë Shala.
Partia Demokratike e Kosovës dërgoi këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim. E të njëjtën gjë e ka bërë edhe LDK-ja.