Kufizimi i orarit të punës për disa kategori, Inspektorati i Punës identifikon 47 raste të shkeljeve të vendimit të MSH-së

Kufizimi i orarit të punës për disa kategori, Inspektorati i Punës identifikon 47 raste të shkeljeve të vendimit të MSH-së

Aktuale July 19, 2024 - 17:52

Nga data 13 korrik deri më sot, më 19 korrik, Inspektorati Qendror i Punës ka evidentuar gjithsej 47 raste të mosrespektimit të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë nga subjektet juridike.

Evidentimi është bërë si rezultat i kontrolleve të inspektorëve të punës dhe sinjalizimeve nga punëtorët dhe qytetarët.

Në këto 47 raste do të shqiptohen gjoba ndëshkimore ndaj subjekteve juridike përkatëse.

“Në ditën e parë pas hyrjes në fuqi të vendimit, më 13 korrik, janë evidentuar 28 raste të mosrespektimit, ndërsa në ditët në vijim ka pasur një rënie të numrit të rasteve të tilla”, njofton kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi.

Lexo po ashtuVala e të nxehtit, në Kosovë kufizohet orari i punës për disa kategori

Kjo rënie vjen si rezultat i njoftimit masiv të subjekteve juridike me vendimin e MSH dhe vetëdijesimit të tyre për respektimin e këtij vendimi.

Për shembull, më 18 korrik, IQP nuk ka evidentuar asnjë rast të mosrespektimit të vendimit të MSH nga subjektet juridike.

Kjo tregon se vendimi i MSH-së në përgjithësi ka gjetur zbatim nga subjektet juridike në Republikën e Kosovës.

Nikçi ka deklaruar se Inspektorati Qendror i Punës do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e këtij vendimi për të siguruar që të gjitha subjektet juridike të respektojnë rregullat dhe udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë. /telegrafi