KMDLNJ: Me arrestimet e shpeshta, Serbia po e shantazhon Kosovën
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut ka thënë se me urdhërarrest të Serbisë, autoritetet maqedonase e arrestuan B. Ramadanin, ish – ushtar i UÇK-së dhe sipas tyre, do të kërkojnë ekstradimin e tij.
Përmes një komunikate për media, ka thënë se shteti i Kosovës duhet të angazhohet maksimalisht për të siguruar mbrojtje ligjore për të arrestuarit sikur edhe përkrahje të plotë për familjarët e të arrestuarve.
“Kohëve të fundit Serbia ka arrestuar shqiptarë duke i akuzuar se janë ish – ushtarë të UÇK, i mbanë për një kohë në paraburgim kurse disa prej tyre edhe janë dënuar. Shpeshtimi i rasteve të arrestimit po bëhet si hakmarrje për arrestimin e serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë. Arrestimi i djeshëm i B. Ramadanit në Maqedoni të Veriut nuk ishte rasti i parë dhe, deri më tani asnjë shqiptar i arrestuar nuk është ekstraduar në Serbi sikur që as z. Ramadani nuk do te ekstradohet. Më herët kishin qarkulluar në opinion disa lista me ish – ushtarë të UÇK -së por se tani thuaja askush që ka qenë në luftë apo që e ka përkrahur luftën nuk ka siguri nëse udhëton nëpër Serbi prandaj KMDLNj-ë publikisht ka kërkuar t’i shmangin ato rrugë”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet, këto janë vendime arbitrare, me prapavijë dhe qëllime politike me sunim që të bëhet trysni te pala kosovare për lirimin e serbëve të arrestuar.
Tash po del se ato lista janë përcjellur në Interpol andaj edhe po arrestohen siç ishte rasti i B. Ramadanit. Më parë në bazë të fletëarresteve nga Serbia ishin ndaluar – arrestuar kryeministrat Haradinaj dhe Çeku, deputetë të Kuvendit të Kosovës, aktivistë sindikalë, politikë etj. KMDLNj shpreson se z. Ramadani do të lirohet shpejtë por se kjo nuk është zgjidhje deri sa janë ato lista që kërcënojnë çdo ish – ushtar të UÇK – së apo person që Serbia kërkon arrestimin e tij. Kosova, në pamundësi të jetë pjesë e Interpolit, e ka të vështirë që të sigurojë informata prandaj, në vend të veprimeve parandaluese, kryesisht po merret me pasoja. Këto janë vendime arbitrare, me prapavijë dhe qëllime politike me sunim që të bëhet trysni te pala kosovare për lirimin e serbëve të arrestuar”, thuhet tutje në komunikatë.