Ferati: Hapja e urës së Ibrit treguesi më i mirë i normalizimit të jetës këtu, ta mbështesin ndërkombëtarët
Foto: Zëri / Arkiv

Ferati: Hapja e urës së Ibrit treguesi më i mirë i normalizimit të jetës këtu, ta mbështesin ndërkombëtarët

Aktuale July 18, 2024 - 08:37

Sadri Ferati, ish-ministër i Pushtetit Lokal, është shprehur se hapja e urës së Ibrit është një prej treguesve më të mirë të normalizimit të jetës në atë pjesë të Kosovës.

Ai u shpreh se ky është një hap i mirë, por tha se duhet të ketë konsultim me faktorin ndërkombëtar, i cili sipas tij duhet të jetë patjetër në mbështetje të kësaj ideje.

“Hapja e urës është një prej treguesve më të mirë të normalizimit të jetës në këtë pjesë të Kosovës, pra duke siguruar edhe qarkullimin e lirë edhe të automjeteve, përveç të banorëve, ngase të gjithë ata që kanë dëshiruar që të mbahet kjo situatë kështu, më tepër kanë dashur të japin mesazhe dhe simbole të një gjendje jonormale, sesa që ka qenë ndonjë pengesë në qarkullim”, tha ai në Klan Kosova.

“Unë mendoj që është hap i mirë, konsultimi me faktorin ndërkombëtar të cilët duhet të jenë patjetër në mbështetje të kësaj ideje dhe nëse ka partnerë, pse jo edhe në mesin e komuniteti serb, që ajo të ndodh në një pajtueshmëri të plot, në mënyrë që të mos ketë vend të keqkuptohet nga ata të cilët nuk e dëshirojnë këtë situatë”, është shprehur ai.