Maqedonci sqarohet lidhur me deklaratën se sinjalet për sulme shtrojnë nevojën për traktat të paqes me Serbinë
Foto: Laura Hasani

Maqedonci sqarohet lidhur me deklaratën se sinjalet për sulme shtrojnë nevojën për traktat të paqes me Serbinë

Aktuale July 17, 2024 - 15:55

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se do të dalë me një sqarim lidhur me një deklaratë që ka dhënë për media sot lidhur me pyetjen se “A ka pas nevojë të bëhet një marrëveshje e paqes në mes Kosovës dhe Serbisë gjatë dialogut në Bruksel?”.

Ai për Klankosova.tv ka deklaruar se është përgjigjur se ka qenë në fakt propozimi i parë në bisedime i kryeministrit Albin Kurti për marrëveshjen 6-pikëshe të mossulmimit dhe mosagresionit të ndërsjellë, si hap i parë para se të hynim në dialog.

“Ky propozim i paraqitur në korrik të vitit 2021 ishte refuzuar nga presidenti i Serbisë, Vuçiq. Kjo marrëveshje do të ishte parakusht dhe garanci e përkushtimit të palëve pë dialog. Fatkeqësisht ky draft nuk u pranua dhe më pas procesi i dialogut u përcoll me zhvillime të rrezikshme siç ishte sulmi terrorist dhe paramilitar në Banjskë, kidnapimi i tre policëve të Kosovës nga forcat e rregullta të uniformuara të Serbisë, brenda territorit të Kosovës dhe aktet e tjera të agresionit dhe kërcënimit konvencional ushtarak nga Serbia”, ka thënë Maqedonci për Klankosova.tv.

Maqedonci ka deklaruar se ende e vlerëson që këto rreziqe mund të ishin shmangur sikur të kishin një marrëveshje mossulmimi nga të dyja shtetet në fazën e paradialogut.

“Kjo marrëveshje nuk do të nën kuptonte asesi falje të gjenocidit dhe krimeve të luftës por do të vendoste ambient shumë më të përshtatshëm për dialog. Në mungesë të kësaj marrëveshje Serbia vendosi dhe vazhdon të mbajë dy të tretat e kapaciteteve të saj ushtarake në jug të territorit të saj dhe përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës, si mënyrë kërcënimi për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”.

"Mirëpo, tanimë gjendemi në një momentum të ri. Kemi Marrëveshje Bazike dhe aneksin e saj te cilat parashohin respektimin reciprok te  integritetit territorial dhe fqinjësi të mirë. Marrëveshja dhe Aneksi duhet te zbatohen te plota dhe pa kushte, kurse prioritet i institucioneve tona ruajtja e sovranitetit dhe rendit e ligjit të vendosur tashmë edhe në katër komunat veriore të vendit tonë”, ka pohuar ministri.