Nën lot, nëna e Jeton Temajt kërkon drejtësi: Raporti i autopsisë është tjetër me deklaratat e dëshmitarëve
Edhe dy vjet pas vrasjes së Jeton Temajt më 27 maj të vitit 2022, nëna e tij, Kumrija, po vazhdon ende të kërkojë drejtësi për vrasjen e të birit, kërkon që autorët të marrin dënimin e merituar.
Ajo sot ka deklaruar se dje është bërë inskenimi i rastit në vendin ky dyshohet se është vrarë Temaj, në Shtupël të Klinës.
Kumrija ka thënë se deklaratat e dëshmitarëve në këtë rast nuk përkojnë me raportin e autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore për birin.
“Në raportin e autopsisë që e kam unë thuhet se djali im është goditur me mjet të fortë, dëshmitë po jepen se ai është rrëzuar nga ‘auba’ e veturës, ata asnjë nuk janë duke e thënë të vërtetën”.
“Po ashtu dje nuk u lejova as unë dhe as mediat të qëndronim afër kur bëhej inskenimi i rastit, më larguan policia, aty mbeti vetëm avokati dhe palët tjera. Në deklaratat e tyre nuk po thuhen të njëjtat gjëra si në raportin e autopsisë”, tha ajo në Klan Kosova.
“Unë jam duke kërkuar drejtësi si e mbytën dhe pse po i ndryshojnë deklaratat pasi autopsia ka dalë se ai është goditur me mjet të fortë”, tha Temaj.
Nën lot, ajo ka kërkuar të kuptojë të vërtetën për vrasjen e djalit të saj.