Rafuna: Qeveria të ndërmarrë masa, do të “zhduken” komunat e vogla
Foto: Laura Hasani

Rafuna: Qeveria të ndërmarrë masa, do të “zhduken” komunat e vogla

Aktuale July 17, 2024 - 14:26

Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Lulzim Rafuna, thotë se ulja e numrit të popullsisë nuk shkon në interes të vendit.

Rafuna thotë se OEK-u ka kërkuar nga Qeveria të ndërmarrë masa për parandalimin e largimit të qytetarëve nga Kosova.

“Rënia e numrit të popullsisë ka ndikim dhe impaktin e vet sidomos në uljen e konsumit në Kosovë. Dihet që çdo shtet merr masa për më rritë natalitetit dhe me shtuar popullsinë. Ulja e numrit të popullsisë nuk shkon në interes të vendit, ne kemi kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë masa konkrete për ta rritë natalitetin e për të mos lejuar që popullata jonë të largohet nga Kosova”, u shpreh Rafuna për Front Online.

Rafuna ka theksuar se pushteti aktual duhet t’i mbështetë prindërit në rritjen e fëmijëve me ndonjë vendim konkret.

Në rritjen e zhvillimit ekonomik ndikon rinia, thotë Rafuna.

“Një popullatë sa ma e re që është më produktive dhe ndikon drejtpërdrejtë në rritje më të shpejtë të zhvillimit ekonomik. Ekzekutivi që harton politikat duhet me urgjencë më ndërmarr veprime konkrete që me i stimuluar natalitetin dhe me gjet mënyra se si me i ndihmuar në rritjen e fëmijëve dhe si me i mbështet prindërit e mos me ndje barrën e fëmijës”, tha ai.

Rafuna thotë se me statistikat e fundit të ASK-së për regjistrimin e popullsisë është vërejtur një rritje në Prishtinë, ndryshe nga qytetet e tjera.

“Në qytetin e Kamenicës kemi largim të mërgatës që mbi 60 - 70% kanë migruar, ka qenë edhe në të kaluarën qytet me numër më të madh të migrimit, ndërsa qytetet më të mëdha si Prishtina, Prizreni, Gjilani e Ferizaj janë të njohur që ka pasur një zhvendosje të popullsisë edhe prej fshatrave e qyteteve që kanë ardhur në Prishtinë po vërehet që është rritur numri i popullsisë në kryeqytet”, përfundoi Rafuna.