Zyrapi thotë se po të kishte drejtori të Policisë Ushtarake para nëntorit të vitit ’98, do të ishte në dijeni
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari Bislim Zyrapi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Zyrapi tha se po të kishte drejtori të Policisë Ushtarake para nëntorit të vitit 1998, do ta kishte ditur.
Zyrapi është duke u marrë në pyetje nga trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Guénaël Mettraux, i cili e pyeti dëshmitarin lidhur me librin e Jakup Krasniqit, i cili tregonte se kishin ekzistuar disa drejtori gjatë verës së ’98-ës në UÇK, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas gjyqtarit, në atë libër thuhet se kanë ekzistuar Drejtoria Politike, Drejtoria Operative, Drejtoria e Shërbimit Informativ, Drejtoria e Policisë, Drejtoria e Informimit Publik, Drejtoria për Ekonomi dhe Financa, si dhe Drejtoria e Logjistikës.
“Unë nuk do të flas sipas librës, se libra e thash edhe më herët se e ekzagjerojnë. Kur po e marrim me e këqyr tash strukturën, strukturën tjetër që tregon zoti Rexhep Selimi, nuk korrespondojnë njëra me tjetrën. Tash dikush prej tyre gabim e kanë. E dyta; Drejtoria e Policisë Ushtarake, po të kish ekzistu të paktën do të isha koordinu me ta, do të kisha ditë se kush është në atë drejtim. Do të kisha punu me ata se si Drejtori e Operacioneve është dashur të punojë me të gjitha drejtoritë, koordinojë punë për me mujtë me përgatitë një operacion ose me punu në aspektet e trajnimit ose profesionalizmit ose operacionalizimit. Këtë drejtori nuk e kam pa, as s’e di kush kanë qenë, as që kanë ekzistu në aspektin e trajnimit dhe as kush i ka shkru ato le ta shpjegojnë”, tha Zyrapi.
Më pas, gjyqtari Mettraux i tha dëshmitarit se a kishte shpjegim për faktin se ai thotë që nuk kishte në atë kohë drejtori të Policisë Ushtarake, ndërkohë që lëshoheshin deklarata nga kjo drejtori edhe gjatë tetorit të ’98-ës.
“Çka di që deklaratat që janë lëshu në tetor të ’98-ës po është që kam gjatë këtyre seancave që m’i keni tregu, më herët nuk e di që kanë shqiptu ose kanë dhanë nga kjo Drejtori e Policisë se po të kish dhënë në atë kohë do të kisha kërku se kush është dhe të isha koordinu me ato. Tash ose e kanë mbajtë këtë Drejtori pa e ditur unë, ose si strukturë nuk me kanë tregu e nuk e kam pa fare as Drejtorinë e Policisë as Inspektoratin. Foli për ato se çka unë di“, u përgjigj dëshmitari.
Ai ka mohuar se ka pasur dijeni që kanë lëshu deklarata për shtyp nga Drejtoria e Policisë Ushtarake.
“Këto deklarata i kam pa kur paraqit gjatë këtyre proceseve gjyqësore që janë lëshu në nëntor a kur janë lëshu. Më herët nuk i kam pa ato se me i pa do të kisha pyet se kush është, po s’e di”, tha Zyrapi.
Ndërsa, për rastin e Blerim Kuçit dëshmitari tha se nuk ishte në dijeni se kush vendosi ta arrestonte atë.
Përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua kur u pyet se kush nga dy të akuzuarit (Selimi dhe Krasniqi) si dhe Limaj, e kishte pasur kompetencën sipas tij që ta arrestonte Blerim Kuçin.
Për UÇK-në, dëshmitari tha se është e saktë të thuhet se kur është kriju një drejtori është caktuar edhe drejtori që do të udhëhiqte
“Pasi drejtori përcaktohet, pastaj drejtori përcakton stafin e tij”, tha Zyrapi.
Përpara kësaj, dëshmitari u pyet se a e dinte se mbi cilën bazë ishte shpallur i pafajshëm Limaj në gjykimin e tij.
“Nuk e di në cilën bazë, po dëshmi, kam qenë (dëshmitar)”, tha Zyrapi.
Ai tha se nuk ka dijeni se cilët persona kanë dëshmuar tjetër në gjykimin ndaj Limajt lidhur me periudhën e krijimit të Drejtorisë së Policisë Ushtarake.
“E di që kanë qenë edhe tjerë, por që kush ka qenë me dëshmu në këtë drejtim nuk e di”, tha ai. Zyrapi tha se nuk ka dijeni që dy prej dëshmitarëve në këtë çështje ishin Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Dëshmitari tha se inspektori i përgjithshëm i UÇK-së është caktuar në nëntor, konkretisht pas ristrukturimit të ushtrisë. Tha se as Drejtoria Politike, as Policia Ushtarake nuk kanë ekzistuar para nëntorit të ’98-ës, përveç asaj të Financave.
Para se të fillojë dëshminë dëshmitari Zyrapi, trupi gjykues miratoi kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve për ndryshimin e disa afateve procedurale.
“Trupi gjykues mendon se janë dhënë arsye të vlefshme për të miratuar ndryshimet e afateve në mënyrë që mbrojtja t’i përgjigjet mocioneve të ZPS-së si dhe të ndryshohet afati për rishikimin e transkriptave. Fillimisht, trupi gjykues miraton në bazë të rregullës 9 (5) ndryshimet e afateve. Së pari, për çdo kërkesë për pranimin e deklaratave të dëshmitarëve sipas rregullës 154 për dëshmitarët që do të paraqiten pas 5 shtatorit 2024, por kërkesat duhet të dorëzohen para pushimit të gjykatës. Trupi gjykues e miraton kërkesën e mbrojtjes për shtimin e afatit në mënyrë që t’i kundërpërgjigjet mocioneve deri më 23 gusht 2024. Trupi gjykues thekson se kjo nuk përfshinë përgjigjet sa u takon kërkesave për pranimin e deklaratave të dëshmitarëve sipas rregullës 154 që janë planifikuar për bllokun e parë pas pushimit të gjykatës që i takon nga 19 gushti deri më 15 shtator. Mbrojtja do t’i përgjigjet këtyre kërkesave në përputhje me afatet që janë parashikuar në rregullore”, tha gjykatësi Charles Smith III.
Më pas, Smith III dha urdhër që të shtohet afati për t’u përgjigjur mocioneve të ZPS-së, si dhe afatin për dorëzimin e mocionit të ardhshëm jogojor të tyre.
“Së dyti: për çdo kërkesë për pranimin e deklaratave në bazë të rregullës 153 të dorëzuara para pushimit të gjykatës, trupi gjykues miraton kërkesën e mbrojtjes për shtimin e afatit për t’u përgjigjur mocioneve të Prokurorisë deri të premten më 30 gusht 2024. Së treti: për mocionin e ardhshëm jogojor nga Prokuroria që është parashikuar të dorëzohet para pushimit të gjykatës. Trupi gjykues miraton shtimin e afatit dhe e shtyn rrjedhimisht për 23 gusht 2024 që është e premte”, tha gjykatësi.
Dhe në fund, Smith III ndryshoi afatin që palët të dorëzojnë parashtrimet e tyre lidhur me rishikimet e transkriptove të cilat kryhen në pushimin e gjykatës.
“Së katërti; çdo rishikim transkripti që është parashikuar që të kryhet gjatë pushimit të gjykatës, trupi gjykues ndryshon afatin për palët dhe pjesëmarrësit në mënyrë që t’i bëjnë parashtrimet e tyre deri të premten më 13 shtator 2024”, tha ai.
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.