Kosova ende nën masa të BE-së, Sveçla: S’po ballafaqohemi fort me to
Foto: Laura Hasani

Kosova ende nën masa të BE-së, Sveçla: S’po ballafaqohemi fort me to

Aktuale July 17, 2024 - 10:41

Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian tash e një vit.

Muajin e kaluar u raportua se në Bashkimin Evropian nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës, edhe pas dorëzimit të raportit të Borrellit.

Nga Bashkimi Evropian u konfirmua dje se diskutimet për heqjen ose jo të masave po vazhdojnë në Këshill.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i pyetur për çështjen e masave, tha të martën se “shpesh nuk e dinë se çfarë masash janë dhe nuk po ballafaqohen fort me to”.

“Edhe vetë BE-ja është deklaruar se këto masa nuk duhet të qëndrojnë, zyrtarë të ndryshëm kanë deklaruar se edhe është e çuditshme si këto masa kanë ardhë. Këto masa kanë ardhë pas sulmit të ekstremistëve të dhunshëm, e pastaj terroristëve ndaj forcave të KFOR. Kosova është ballafaquar me sanksione për moskoordinim, do të pyesja se çfarë ka ndodhur me sanksionet ndaj Serbisë, sidomos pas sulmit të Banjskës. Ka qarqe në Evropë që mundohen ta marrin Serbinë me të mirë që ta ndajnë nga Serbia.

Për besë shpesh edhe duhet të hulumtojmë se çfarë lloje masash janë ato, sepse nuk po ballafaqohemi fort me to, por realisht përderisa ne na vendosën masa për siç thonë ata mungesë koordinimi, çfarë dëshmish shtesë duhet të kenë për rolin e Serbisë në sulmin terrorist të 24 shtatorit ”, ka deklaruar ai në një intervistë për Euronews Albania.

Krerët e shtetit kanë kërkuar në vazhdimësi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së. Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës në vazhdimësi kanë thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

Kosova kërkoi zëshëm heqjen e masave pas organizimit të votimit për largimin e kryetarëve në veri, që ishte një nga kërkesat e BE-së.

Nisma për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dështoi, pasi nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave pas bojkotimit nga serbët. Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.

Nga Bashkimi Evropian vlerësuan se rezultati i votimit në veri nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.

Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).