Dënimi i Pjetër Shalës, Krasniqi: Ky vendim është vazhdimësi e verdikteve drakoniane ndaj çlirimtarëve
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dënimit me 18 vite burgim ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Pjetër Shala.
Krasniqi tha se vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale është vazhdimësi e verdikteve drakoniane ndaj çlirimtarëve, të cilët sipas tij, luftuan vetëm për lirinë e popullit.
“Lufta e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë së Kosovës, të cilën askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë e ta rishkruajë”.
“Ndonëse të indinjuar me këtë verdikt, drejtësisë i kemi besuar gjithmonë, andaj besojmë edhe sot se drejtësia dhe e vërteta, do të triumfojnë herët a vonë”, tha Krasniqi.
Këtë të marte, Gjykata Speciale mori vendim që ish-komandanti i UÇK-së, Pjetër Shala, të dënohet me 18 vjet burgim për tri vepra penale, atë të ndalimit arbitrar, torturë si krim lufte dhe vrasje të paligjshme si krim lufte.
Në përmbledhjen që u bë në seancën gjyqësore, u tha se ndaj tij janë ngritur katër aktakuza për krime lufte, dhe se krimet kryesisht kanë ndodhur nga 17 maj deri më 15 qershor të vitit 1999.