Prokurorja West: Sot kujtojmë viktimat e krimeve të Pjetër Shalës, që ishin kryesisht shqiptarë të Kosovës

Prokurorja West: Sot kujtojmë viktimat e krimeve të Pjetër Shalës, që ishin kryesisht shqiptarë të Kosovës

Aktuale July 16, 2024 - 16:39

Prokurorja e Specializuar Kimberly West e ka mirëpritur vendimin e sotëm në gjyqin ndaj Pjetër Shalës, duke nënvizuar rëndësinë e tij për të vënë në jetë drejtësinë në sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Arritja e vënies para përgjegjësisë për krime të rënda – përfshirë edhe kundër atyre personave si z. Shala që kishin shmangur më parë për disa vjet juridiksionin e gjykatave të Kosovës – është një hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit,” tha West në një reagim pas shpalljes fajtor nga Trupi Gjykues për Shalën i cili u shpall fajtor për tre akuza për krime lufte – ndalim arbitrar; torturë; dhe vrasje e paligjshme – dhe u dënua me 18 vjet burg.

“Dita e sotme është gjithashtu një ditë kur ne kujtojmë dhe përulemi para viktimave të krimeve të z. Shala, që ishin kryesisht shqiptarë të Kosovës, dhe atyre familjeve që kanë pritur për një çerek shekulli që i Akuzuari të vihet para përgjegjësisë,” vazhdoi Prokurorja e Specializuar.

Sipas Prokurores, krimet e Shalës u kryen në periudhën prej rreth 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që ishin paraburgosur në Uzinën Metalike në Kukës, Shqipëri.

“Trupi Gjykues konstatoi në aktgjykimin e tij se të paktën 18 persona ishin mbajtur në kushte çnjerëzore e degraduese dhe i ishin nënshtruar abuzimit psikologjik e fizik, dhe një nga viktimat u vra.

Në mesin e provave të parashtruara gjatë gjyqit ishin deklarata në të cilat z. Shala pranonte praninë e tij në Uzinën Metalike në Kukës gjatë periudhës së aktakuzës dhe keqtrajtimin e të burgosurve”, thuhet në reagimin e Prokurores West. /Zëri