AKP-ja konfirmon mbylljen e pompave të karburantit në veri, tregon edhe arsyet
Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka konfirmuar mbylljen e tri pompave të derivateve në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok.
ATK-ja në një komunikatë për media, thotë se sitëve të fundit ka pranuar informacione se qiramarrësit e pikave të karburantit nën administrimin e Agjencisë së Kosovës për Privatizim në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut janë duke operuar pa licencim.
“Sot, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kemi dalë në terren, ku pas vizitave dhe inspektimeve, është vërtetuar se tri pika të karburanteve nuk janë të pajisura me licencë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe dy prej tyre nuk janë as të fiskalizuara. Kjo përbën shkelje të kontratave të qirasë me AKP-në dhe Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, duke cenuar kështu sigurinë e konsumatorëve dhe të mjedisit”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se mbi bazën e gjetjeve në terren, Inspektorati i MINT u ka ndërprerë veprimtarinë këtyre bizneseve, dhe si rrjedhojë e kësaj AKP do të ndërpres kontratat e qirasë.
“Agjencia ua bën me dije të gjithë qiramarrësve, ashtu siç është përcaktuar në kontratën e qirasë, se duhet të operojnë në përputhje me legjislacionin e Kosovës”, thuhet në komunikatë. /Zëri