Temperaturat ekstreme: Shqipëria ndjek shembullin e Kosovës, propozon uljen e orarit të punës për administratën

Temperaturat ekstreme: Shqipëria ndjek shembullin e Kosovës, propozon uljen e orarit të punës për administratën

Aktuale July 16, 2024 - 14:19

Në mbledhjen e Qeverisë nesër pritet të miratohet një propozim për ulje të orarit të punonjësve në administratën publike për shkak të temperaturave të larta.

Burime të Euronews Albania bëjnë me dije se propozimi pritet të jetë përgjatë javëve të korrikut, por mund të shikohet mundësia edhe për në muajin gusht.

Në bazë të propozimit orari i administratës publike pritet të jetë 9.30-15.30 nga e hëna në të enjte, ndërsa ditën e premte nga ora 9.00-13.00.

Drafti që pritet të propozohet

Projekt vendim për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 568, datë 06.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “për miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit, orët shtesë dhe kompensimin e tyre në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 40, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të neneve 76, 78, 79, 83, 85, 86, 87, 94, të ligjit nr. 7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr. 15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave vendosi:

Në vendimin nr. 568, datë 06.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit, orët shtesë dhe kompensimin e tyre në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”, bëhen shtesat dhe ndryshimet si vijon:

Në kreun II:

a) Pika 2, ndryshohet me përmbajtjen si vijon:

“2. Kohëzgjatja ditore e orëve të punës për të punësuarit në institucionet e administratës shtetërore:

a) Është çdo ditë 8 orë e 30 minuta, ndërsa ditën e premte është 6 orë.

b) Për këto institucione aplikohet orari ditor i punës fleksibël, me kushtin që të plotësohen orët e plota sipas përcaktimit në shkronjën “a”, të kësaj pike.

c) Orari i detyrueshëm kur të gjithë të punësuarit duhet të jenë në vendet e punës është çdo ditë 9:30 – 15:30, ndërsa ditën e premte 9:30 – 13:00.”.

b) Pas pikës 2, shtohet pika 2/1, me përmbajtjen si vijon:

“2/1 Orari ditor i punës për të punësuarit, në institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, përcaktohet në rregulloren e brendshme të institucionit.”

Në kreun III:

a) Në fund të pikës 2, shtohet fjalia me përmbajtjen si vijon:

“Titullari i institucionit/sekretari i përgjithshëm, kanë të drejtë ta delegojnë kompetencën e përcaktimit të kohës së kryerjes së pushimit vjetor të paguar tek drejtuesi i njësisë së burimeve njerëzore të institucionit.”

b) Në fund të pikës 15, shtohet fjalia me përmbajtjen si vijon:

“Titullari i institucionit/sekretari i përgjithshëm, kanë të drejtë ta delegojnë kompetencën e përcaktimit të kohëzgjatjes së pushimit pa të drejtë page tek drejtuesi i njësisë së burimeve njerëzore të institucionit.”

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.