Ish-zv.ministrja e Drejtësisë Nita Shala emërohet ambasadore në Itali, Osmani: E njoh për rreth dy dekada, kam besim

Ish-zv.ministrja e Drejtësisë Nita Shala emërohet ambasadore në Itali, Osmani: E njoh për rreth dy dekada, kam besim

Aktuale July 15, 2024 - 17:49

Presidentja Vjosa Osmani e ka emëruar Nita Shalën ambasadore të Kosovës në Itali.

Osmani njoftoi se ish-ministrja e Drejtësisë do të jetë përfaqësuesja e vendit në Romë.

Për të, Osmani tha se është “profesioniste e dalluar juridike”.

“Unë e njoh Nitën profesionalisht për rreth dy dekada dhe nuk kam dyshim se ajo do t’i shërbejë vendit të saj me nder”, shkroi Osmani në “X”.

“I uroj suksese në detyrën e re, me besim se do të punojë në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Italisë, aleat i rëndësishëm dhe i kahershëm i vendit tonë”, shtoi ajo.

Nita Shala paraprakisht ishte zëvendësministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti 1 dhe koordinatore nacionale për parandalimin e dhunës në familje.

Në MD ishte emëruar në mars të vitit 2020.

Nita Shala është doktor shkencash në drejtësi nga Graduate Institute-Geneva.

Kur kryeministri Albin Kurti e pati emëruar si zëvendësministre, Zyra e tij shkruante se Nita Shala “ka shkëlqyer gjatë studimeve themelore në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në studimet master për drejtësi penale në Universitetin e Oxfordit dhe në studime ekzekutive në Harvard, Shkolla për Qeverisje Kennedy”.

Nita Shala është avokate me eksperiencë profesionale në institucione ndërkombëtare. Ajo ka punuar edhe në zyrën e OKB-së në Gjenevë, për ta këshilluar ambasadën e Republikës së Shqipërisë në proceset e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, në zyrën e Prokurorit në Tribunalin e Hagës, e angazhuar në Prokurori kundër Vojislav Sheshel dhe kundër Vlastimir Xhorxhevic, dhe mbështetje ndërkombëtare në EURALIUS dhe PAMECA V në Shqipëri si ekspert ligjor i procesit të implementimit të reformës dhe themelimit të institucioneve të reja në drejtësi.

Nga viti 2018, punon në Katedrën Penale në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës, në lëndët e drejta penale dhe e drejta penale ndërkombëtare”.