Një shekull nga rezistenca e Azem e Shotë Galicës në Arbëri të Vogël, Idrizi: Gjithë lufta, për ta dëbuar ushtrinë serbe
Për nder të 100-vjetorit të Rezistencës në Arbërinë e Vogël, ku prijës të saj ishin Azem e Shotë Galica, Komuna e Vushtrrisë ka organizuar aktivitete të ndryshme kulturo-artistike në amfiteatrin “Adem Mikollovci”.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se ky 100-vjetor tregon se Kosova nuk e ka ndalur kurrë luftën e saj brez pas brezi ndaj pushtueseve, kështu duke mbrojtur trevat e saj.
Ai ka me këtë rast ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, të cilët janë duke u gjykuar në Hagë, që sipas tij edhe sot e kësaj dite ata janë duke u mbajtur padrejtësisht atje.
“Është një datë e rëndësishme dhe vetëm data 100-vjeçare tregon se ky vend nuk e ka ndal luftën brez pas brezi për ta mbrojtur vendin. Jemi tubuar gjenerata brenda 100 vitesh për ta kujtuar dhe për ta respektuar këtë përvjetorë. Arbëria e Vogël nuk ishte ndonjë gjë tjetër përveç bërthama e rezistencës në krye me heroin Azem dhe Shotë Galicën. Jemi me fat që kemi mbërri këtë ditë ta përjetojmë me shumë mund dhe me shumë gjak e kemi fituar lirinë. E gjithë kjo luftë është bërë, gjithë kjo rezistencë për ta dëbuar ushtrinë serbe. Sot edhe pse jemi në liri sot ka padrejtësi nga ndërkombëtarët, ku Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen padrejtësisht në Hagë. Falënderoje dhe të gjithë ushtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë kontribuuar në lirinë e Kosovës”, tha Idrizi, raporton EO.
Profesori Nait Hasani ka thënë se heroi Azem Galica ka drejtuar shumë beteja kundër pushtuesve serbë dhe se të dy heronjtë dolën në krye të betejës në kohën më të nevojshme për Kosovën.
Sipas tij, rezistenca e tyre është bërë shembull për ta ndritur të ardhmen e Kosovës.
“Kush më mirë se ju e kupton rezistencën e Azem dhe Shotë Galicës se ushtarët e UÇK-së. Jemi mbledhur për të nderuar dhe uruar rezistencën e Azem dhe Shotë Galica. Azem Galica dhe Shota dolën në krye në kohën më të nevojshme për Kosovën. Ai drejtoi shumë beteja kundër pushtuesve serbë. Në këtë përvjetor nuk kujtojmë vetëm humbjen, por edhe çka na ka lënë pas, ai na mësoi që liria nuk vjen pa sakrifica. Le të kujtojmë dhe të ndjekim shembullin e tyre për ta ndritur të ardhmen e Kosovës”, tha Hasani.
Në emër të familjareve të fshatit Galicë, Qamil Sahiti ka thënë se pushtuesit serbë janë munduar gjithmonë që të zhdukin shqiptarët, por që sipas tij heronjtë shqiptarë ndaluan që një gjë e tillë të ndodhë.
“100 vjet më parë u munduam të shohim aktivitetin shqiptar, u munduan që ta vrasin dhe të trembin dhe i dogjën shqiptarët. U munduan që t’i zhdukën nga faqja e dheut vetëm që ishin shqiptarë dhe po jetonin në vendin e tyre që nga kohët e lashta. Të udhëzuar nga patriotet e asaj kohës, Hasan Prishtina, Bajram Curri. I treguam botës që kjo tokë do të mbetet e shqiptarëve, në këtë rrugë dhe me këtë motiv u themeluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Jam i bindur që do të realizohet ëndrra e te drejtave të jetojmë lirshëm. Kërkojmë përfundimin drejt funksionalizimit të Kullës në Galicë, dhe të emërohet rruga Vushtrri-Skenderaj, Azem Galica”, tha Sahiti.
Familjarja e Azem dhe Shotë Galicë, Sala Ahmetaj, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është frymëzuar nga luftërat që kishin në krye Azem dhe Shotë Galicën.
“Përshëndes me shumë dashuri ish-ushtarët e UÇK-së të cilët të frymëzuar nga Azem dhe Shotë Galicës kanë bërë madhështinë për vendin. Ndihem e nderuar të marr këtë mirënjohje për luftën që kanë bërë, Shota është heroina e botes që është shndërruar në frymëzim. Kur një grua vlerësohet për guxim mençuri do të thonë ku je o Shotë Galica. Gërsheti i Shotës është bërë simbol i lirisë”, tha ajo.
Në fund, i pari i Vushtrrisë ka ndarë dekorata në shenjë mirënjohjeje ndaj kontribuuesve për çështjet kombëtare.
Komuna e Vushtrrisë për të shënuar 100-vjetorin e rezistencës në Arbërinë e Vogël, për tri ditë me radhë ka organizuar aktivitete të ndryshme.