Disa ushtarë padisin Ministrinë, s’u paguan për orët shtesë
Foto: Laura Hasani

Disa ushtarë padisin Ministrinë, s’u paguan për orët shtesë

Aktuale July 15, 2024 - 08:20

Për punën jashtë orarit ose kujdestarive nuk po marrin kompensim të plotë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kështu thuhet nga Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Mbrojtjes, ku vlerësohet se kjo mund të ndikojë edhe në motivimin e tyre.

“Nuk ka një procedurë të shkruar që specifikon se si kalkulohet puna jashtë orarit për t’u kompensuar me ditë pushimi. Bazuar në të dhënat e analizuara shihet se FSK-ja e aplikon dhënien e nga një dite pushim edhe në rastet kur ata kujdestarojnë me nga 24 orë me arsyetimin e mungesës së stafit”, thuhet në raport.

Madje nga ZKA-ja thuhet se kjo mund të çojë edhe në padi gjyqësore, gjë që tashmë edhe është bërë nga disa prej pjesëtarëve të FSK-së.

“Besoj që Gjykata do të japë një vendim meritor lidhur me këto çështje. Se a është e fitueshme apo jo, pasi që kam analizuar bazën ligjore është e drejtë e tyre të kërkojnë, besoj që Gjykata do të jep një vendim meritor për këtë çështje dhe si profesionist besoj që këto çështje janë të fituara”, ka thënë Zahir Hamza, avokat i disa pjesëtarëve të FSK-së.

E nga Ministria e Mbrojtjes, përmes një përgjigjeje me shkrim, i thanë televizionit se e kanë pranuar një raport të tillë, por që trajtimi i tij kërkon kohë.

“Meqenëse Ligji për Pagat në Sektorin Publik, ashtu si dhe Rregullorja (QRK) Nr. 02/2020 për Pagat, Shtesat Mbi Pagë dhe Kompensimet e tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, respektivisht Neni 13 i kësaj rregullore rregullon kompensimin e pjesëtarit të FSK-së për punën jashtë orarit, punën me ndërrime, gjatë ditëve të festave dhe ditëve tjera, që është pushim me ditë të lira brenda afatit prej 60 ditësh me aprovimin e udhëheqësit të drejtpërdrejtë të pjesëtarit, kjo çështje në aspektin ligjor është e qartë vetëm kërkon trajtim në kohë, andaj besojmë në implementim nga ana e akterëve përgjegjës të paracaktuar sipas rregullores”, thanë nga Ministria për Tëvë1.

Kurse, se kjo ndikon edhe në motivimin e ushtarëve e thotë edhe koloneli në pension i FSK-së, Hysen Gecaj.

“Sado që ata e kanë për krenari që t’i shërbejnë popullit të tyre, megjithatë ata kanë familje, kanë nevojat të përditshme financiare për fëmijët e tyre, familjet e tyre, dhe një kompensim i tillë është i nevojshëm sepse për kohën derisa ata janë në shërbim përveç rrezikshmërisë e cila parashihet që të jetë në vendin e punës, ata janë të ndarë edhe prej familjes”, thotë Gecaj.

Sipas raportit të ZKA-së, ministri duhet të rishikojë rregulloret aktuale dhe të sigurisë një rregullim të qartë për këto kompensime në përputhje me legjislacionin në fuqi.