Protestuesit hedhin molotov pranë Kryeministrisë në protestën e opozitës në Shqipëri

Protestuesit hedhin molotov pranë Kryeministrisë në protestën e opozitës në Shqipëri

Aktuale July 11, 2024 - 23:31

Opozitare shqiptare ka protestuar të enjten vonë në kryeqytet kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe kundër kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke u përleshur me policinë dhe duke hedhur koktej molotovi.

Protesta nisi para ndërtesës së Qeverisë dhe vazhdoi drejt bashkësisë së Tiranës dhe ndërtesës së Kuvendit, ku protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama, duke e akuzuar se e ka “zhytur vendin në korrupsion”.

Protestuesve iu drejtua me një fjalim ish-kryeministri Sali Berisha nga Partia Demokratike, përmes një video-mesazh nga banesa e tij, ku ndodhet në arrest shtëpiak nën dyshimin për korrupsion në privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Protestuesit hodhën koktej molotovi në drejtim të godinës së Qeverisë sapo ai e mori fjalën. Policia ndërhyri menjëherë duke shuar flakët që përshinë hyrjen e ndërtesës. Oficerët e policisë u bënë thirrje protestuesve që të distancoheshin nga akte të dhunës.

Image

Opozita shqiptare protestoi të enjten vonë në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, 11 korrik 2024.

“Ndërprisni sulmin me koktej molotovi ndaj policisë dhe institucioneve. Organizatorët e protestës të marrin masa të largohen nga protesta personat e dhunshëm e të maskuar,” ishte thirrja e policisë, referuar disa prej protestuesve që u vunë re në protestë me maska të zeza në fytyrë dhe çanta.

Situata para Qeverisë u vu nën kontroll brenda disa minutash.

Berisha bëri thirrje për një qeveri teknike dhe u kërkoi partive të tjera opozitare t’i bashkohen nismës së tij.

“Zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë, duhet të bashkohemi për qeveri teknike, pasi nuk mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën kryeministër”, tha Berisha.

Vetëm kjo, tha Berisha, është zgjidhja për të ndalur largimin e shqiptarëve nga vendi dhe për të ngjallur shpresën për ndryshim.

Ai i bëri thirrje Ramës të pranojë "qeverinë teknike".

Pjesë e protestës ishin edhe aleatë të Partisë Demokratike, si kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ai i partisë që përfaqëson minoritetin grek, (PBDNJ, Vangjel Dule, por edhe deputetë që deri pak kohë më parë mbështesnin grupimin e Lulzim Bashës dhe ishin kundër Sali Berishës në krye të PD-së.

Ilir Meta në fjalën e tij sulmoi kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, dhe ftoi edhe shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë së Veriut “për të rrëzuar Qeverinë e kryeministrit Edi Rama”.

Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshuan drejt bashkisë së Tiranës, aty ku prej disa kohësh opozita ka zhvilluar protesta dhe ka kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut, Erion Veliaj.

Në protestën para bashkisë së Tiranës pati edhe tensione, sepse protestuesit shtynë forcat e policisë duke tentuar të thyenin kordonin policor dhe të hynin në godinën e bashkisë.

Protesta u mbyll pastaj me thirrjet që kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë së Tiranës duhet të largohen, me pretendimin se janë "të korruptuar".

Image

Oficerët e policisë formojnë kordon pranë ndërtesës së Qeverisë gjatë protestës së opozitës në Shqipëri, Tiranë, 11 korrik 2024.

Prej muajit mars opozita ka zhvilluar 12 protesta para bashkisë duke kërkuar largimin nga detyra të Veliajt, ndërsa kjo ishte protesta e parë kombëtare para Kryeministrisë.

Në mars të këtij viti, u arrestuan disa drejtorë dhe ish-drejtorë të bashkisë së Tiranës nën dyshimet për korrupsion dhe fshehje pasurie. Pesë ish-zyrtarë të kësaj bashkie dyshohet se janë pronarët realë të kompanisë “5D” që, sipas hetimeve paraprake, kanë përfituar tenderë nga institucioni ku ata punonin.

Për të dyja këto çështje, Erion Veliaj është akuzuar nga opozita se është i përfshirë. Në reagimet tij, Veliaj është distancuar nga ish-zyrtarët nën hetim dhe ka deklaruar se kushdo që është përfshirë në veprimtari të paligjshme duhet të përballet me drejtësinë.

Më 30 prill, Veliaj qëndroi në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) për rreth tetë orë. Ai tha për gazetarët se shkoi në SPAK në cilësinë e bashkëpunëtorit dhe kishte një kohë që kishte kërkuar një takim.

Gjatë qëndrimit në SPAK, Veliaj tha se dha të gjitha sqarimet në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

Për këtë çështje, në dhjetor të vitit të kaluar u lëshuan 15 urdhërarrestime, përfshirë edhe ndaj zyrtarëve të bashkisë së Tiranës. Ndërkaq, paraprakisht në gusht të vitit të kaluar ishte sekuestruar kompania që ka fituar tenderin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, e përfshirë edhe në dy djegësit e tjerë në Fier dhe Elbasan.

Protesta përfundoi pasi protestuesit shkuan nga ndërtesa e Kuvendit drejt selisë së Partisë Demokratike, ku paralajmëruan për një protestë të radhës për të enjten e ardhshme, më 18 korrik. /REL