LDK-ja paralajmëron dërgimin e Ligjit për KPK-në dhe atij për KPM-në në Kushtetuese
Foto: Laura Hasani

LDK-ja paralajmëron dërgimin e Ligjit për KPK-në dhe atij për KPM-në në Kushtetuese

Aktuale July 11, 2024 - 17:00

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se votimet e sotme në sallën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës nga deputetët e partisë në pushtet, të dy ligjeve jetike për organizmin tonë shoqëror, atij të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij të Komisionit të Pavarur të Mediave, “shpërfaqin tendencën e kapjes kundërkushtetuese të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës”.

Kjo praktikë, tanimë e konfirmuar me aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas LDK-së, është “vazhdimësi e përpjekjeve të vazhduara populiste të Albin Kurtit për hartimin e ligjeve që nuk respektojnë ekuilibrin demokratik në vend, sikurse dhe ndarjen e roleve të institucioneve të pavarura brenda Kosovës”.

“Mospërputhja, ndërsa, me direktivat e Bashkimit Evropian, e të dy ligjeve në fjalë, është shmangie vlerore e orientimit tonë euro-atlantik, një praktikë tashmë e zakontë e pushtetit popullist që udhëhiqet nën logjikën e të majtës ekstreme”.

“LDK-ja as nuk pranon e as nuk toleron tendencën e kapjes së drejtësisë dhe të mediave. Demokracia si vlerë e si praktikë, për ekstremistët e majtë mund të jetë e rëndë, por për Republikën e Kosovës është e shenjtë”.

“Prandaj, që nga sot, ekipet tona punuese, kanë nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen e plotë, se sikurse në dhjetë rastet e kaluara kundërkushtetuese edhe dy ligjet e sotme do të marrin të njëjtin përfundim”, tha LDK-ja në reagim.

Kjo parti tha se pushteti po i përfundon të katër vite qeverisje, “në përpjekje antikushtetuese të kapjes së institucioneve, pa ndonjë rezultat konkret e pa ndonjë zhvillim thelbësor në asnjë fushë”. /klankosova