OSBE: Miratimi i Projektligjit të ri për mediat në Kosovë cenon pavarësinë e KPM-së
Foto: Laura Hasani

OSBE: Miratimi i Projektligjit të ri për mediat në Kosovë cenon pavarësinë e KPM-së

Aktuale July 11, 2024 - 15:23

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar lidhur me miratimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

OSBE-ja shprehet e shqetësuar lidhur me miratimin e këtij projektligji.

“KPM-ja luan një rol kyç në kornizën rregullative të mediave të Kosovës. Aftësia e saj për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale ka qenë çelësi i besueshmërisë dhe autoritetit të saj. Ekspertët ndërkombëtarë për të drejtën e medias dhanë, në emër të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, rekomandime të detajuara për përafrimin e ligjit me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, për fat të keq, shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

Tutje, OSBE-ja ka theksuar se rekomandimet kryesore të ekspertëve, të cilat nuk janë marrë parasysh, kanë reflektuar shqetësime rreth dispozitave të reja, të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit.

“Rekomandimet mbi rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore gjithashtu nuk janë marrë parasysh. Zgjerimi i juridiksionit të KPM-së në mediat sociale, i shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes. U bënë disa përpjekje për të rishikuar disa nene për të arritur qartësi ligjore dhe për të futur masa mbrojtëse procedurale, por ligjit ende i mungojnë mekanizmat efektivë të vetë-rregullimit”, thuhet tutje në reagim.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shtuar se ndërsa mirëpresim futjen e rregulloreve në lidhje me pronësinë dhe përqendrimin e mediave, vërejmë gjithashtu se, siç janë hartuar, atyre u mungon qëndrueshmëria procedurale.

“Ekspertët ndërkombëtarë ofruan komentet dhe rekomandimet e tyre në përpjekje për të siguruar që ky legjislacion i ri jo vetëm që do të pasqyronte standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, por gjithashtu do të ishte i përshtatshëm për qëllimin, që do të forconte Komisionin e Pavarur të Mediave dhe do të ruante pavarësinë shumë të rëndësishme të këtij organi.

Misioni i OSBE-së mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në përafrimin e legjislacionit të saj për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare.

Do të jetë e rëndësishme që ligji i miratuar tani të jetë objekt i një rishikimi të plotë, ëgjatë të cilit duhet të kërkohen pikëpamjet e ekspertëve kosovarë dhe ndërkombëtarë. Ndërkohë ne jemi të gatshëm si gjithmonë për të mbështetur KPM-në me këshilla të ekspertëve dhe ngritjen e kapaciteteve”, thuhet në fund të reagimit.