Ç’ndodhi me kravatën kuqezi të Krasniqit? Haga: Informacioni i vetëm, ajo që u tha dje në seancë

Ç’ndodhi me kravatën kuqezi të Krasniqit? Haga: Informacioni i vetëm, ajo që u tha dje në seancë

Aktuale July 09, 2024 - 15:36

Dhomat e Specializuara s’kanë ndonjë informacion shtesë për atë se çfarë ka ndodhur me kravatën kuqezi të Jakup Kransiqit dhe pse i është kërkuar ta heqë. Nga Haga kanë thënë se informacionet e vetme për këtë çështje janë ato që janë thënë në seancën e djeshme.

Të hënën, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar sqarime nga gjyqtari Charles Smith III, pasi ish-zëdhënësit të UÇK-së i është dashur ta largojë kollaren e tij me ngjyrat kuqezi dhe me shqiponjën dykrenore.

Nga ekipi mbrojtës kanë thënë se Krasniqi të njëjtën kollare e ka pasur edhe herë të tjera në sallën e gjyqit.

“Krasniqi këtë kollare e ka veshur edhe herë të tjera. A mund ta dimë se pse i është hequr kollarja”, ka thënë një nga pjesëtaret e ekipit mbrojtës të Krasniqit.

Gjyqtari Smith në seancën e 8 korrikut ka thënë se do të interesohet se çfarë ka ndodhur me kollaren e Jakup Krasniqit.

“Ju thashë që do të interesohem dhe do t’jua them”, deklaroi gjyqtari Charles.

Gazeta Express sot ka dërguar pyetje në Dhomat e Specializuara për të kërkuar përgjigje rreth pretendimeve të ngritura nga mbrojtja e Krasniqit rreth heqjes së kollares, megjithatë Haga s’ka pasur ndonjë informacion shtesë.

“Në këtë moment, informacioni i vetëm publik për këtë temë është ajo çfarë është thënë në seancën publike dje”, kanë thënë nga Dhomat e Specializuara.

Në Kosovë ka pasur shumë reagime lidhur me kollaren e Jakup Krasniqit.

Ish-komandanti i UÇK-së, Ramë Buja, ka thënë se është shumë shqetësuese ajo që po ndodh.

“Përgjatë kohës kur kemi qëndru për nja 18 muaj në një dhomë burgu s’ke mujt me i dal përpara për mbrojtje të vendit, E tash kjo gjykatë që kinse është për drejtësi po shihet si është dhe mendoj se është shumë shqetësuese”, ka deklaruar Buja në T7.