Zyrapi: Kur u lëshua urdhëresa për masa disiplinore dhe penale, Veseli nuk ishte në Kosovë

Zyrapi: Kur u lëshua urdhëresa për masa disiplinore dhe penale, Veseli nuk ishte në Kosovë

Aktuale July 09, 2024 - 13:30

Dëshmitari Bislim Zyrapi tha sot në Hagë që në kohën kur e kishte lëshuar urdhëresën në cilësinë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm llidhur me masa disiplinore dhe penale për ndërprerjen e dukurive negative, Kadri Veseli nuk ishte në Kosovë.

Fillimisht, avokati i Veselit, Ben Emmerson e paraqiti këtë urdhëresë gjatë kundërpyetjeve të tij, e cila edhe mbante datën 28 nëntor 1998, për të cilën tha se pika 1, 2, 3 kishin të bënin me masa parandaluese. Kurse, pikat 4, 5, 6, dhe 7 flisnin për ndëshkimin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pas kësaj, Emmerson pyeti dëshmitarin se a kishte informacione nga komandantët e zonave që në zonat e tyre kishin persona të cilët e kanë shpërdoruar përkufizimin e këtyre urdhëresave.

“Po, ka pas ankesa. Këtë urdhëresë e kam lëshuar në bashkëpunim me Komandantin e Përgjithshëm, faktikisht me dijeninë e tij. Ankesat kanë qenë edhe prej komandantëve të zonave, kanë qenë edhe prej civilëve në ato zona. Nga shumë drejtime kanë ardhë ankesat për atë edhe komandanti ka vendosur që të shkohet me këtë urdhëresë dhe t’i dërgohet komandantëve të zonave që t’i disiplinojnë edhe komandantët edhe ushtarët në sjelljet me civilët dhe me veprimet e tyre. Normalisht që edhe komandanti i zonës që të ketë autoritetin e plotë në kontrollin që mos me hy edhe zonave të tjera, edhe ushtarët e tjerë në zonat e komandantëve ku nuk janë të zonës së tyre, me vepru apo me u sjellë jokorrekt ndaj civilëve. Kjo ishte thelbi i kësaj urdhërese e cila është shkru në atë kohë”, tha Zyrapi.

Megjithatë, dëshmitari u pyet se a ka pasur mundësi që të merrnin raporte apo informacione se një druvar, civil që punonte për autoritetet serbe apo edhe ndonjëherë që këto veprime të bëheshin për inate personale.

“Kanë ardhë nga të gjitha drejtimet duke marrë prej asaj që dikush ka pasur drejtime të qëllimshme që ka vepru deri të atyre të cilët kanë vepru dhe autoritetet e tyre i kanë përdorur faktikisht për çështje personale të dikujt të mëhershme paralufte që ka pas me dikë. Këto ishin të gjitha drejtimet që është dhënë që të ndalën të gjitha ato dukuri edhe e fundit ishte që me këtë urdhër të disiplinoheshin se veç ishim, faktikisht armëpushimin e kishim dhe e kishim kontaktin me bashkësinë ndërkombëtare për t’i treguar se ne ishim një ushtri që shkojmë duke u disiplinuar dhe një ushtri e cila qëllimin e saj e ka çlirimin e Kosovës dhe kjo ishte që më këto masa të tilla po disiplinohet kjo ushtri dhe po ecë drejt saj”, u përgjigj Zyrapi në pyetjen e Emmerson.

Në kohën se kur ishte lëshuar kjo urdhëresë, dëshmitari tha se Kadri Veseli nuk ndodhej në Kosovë.

Më pas, Emmerson pyeti nëse kishte persona që keqpërdornin termin “kolaboracionist” ose keqtrajtonin persona që ishin të ndaluar, a ishte diçka e autorizuar apo që kryhej në nivel të Shtabit të Përgjithshëm.

“E para, është e saktë që zotëri Veseli nuk ka qenë në Kosovë në këtë periudhë. E dyta; Është që janë vepru dhe me këto, komandantët e zonave e kanë pas këtë përgjegjësi dhe të brigadave në zonat e veta që të veprojnë. Në nivel Shtabi ende nuk ka pas mundësi në këtë kohë që është këtu, me vonë që mund të merren masa me zhvillimin e sektorit të juridikës”, tha Zyrapi.

Emmerson gjithashtu e pyeti dëshmitarin se kur e kishte kuptuar se Jakup Krasniqi ishte emëruar zëdhënës i UÇK-së. Ndonëse dëshmitari tha se ka qenë në atë takim, Emmerson shpjegoi se Veselit i kujtohet se kanë qenë së bashku rrugës për ta takuar Rmaush Haradinajn kur ishte marrë kjo informatë.

“Nuk më kujtohet. Mendoni në qershor, në fillim”? tha dëshmitari për të cilën Emmerson tha përafërsisht rreth datës 10-12 qershor 1998.