Zyrapi thotë se e kishte emëruar dikë tjetër në sektorin e ZKZ-së në kohën kur Veseli nuk ishte në Kosovë

Zyrapi thotë se e kishte emëruar dikë tjetër në sektorin e ZKZ-së në kohën kur Veseli nuk ishte në Kosovë

Aktuale July 09, 2024 - 13:27

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të martën po e vazhdon dëshminë dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Bislim Zyrapi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Zyrapi tha se në kohën kur Veseli ishte jashtë Kosovës, në detyrat e sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ), e kishte caktuar Mensur Kasumin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Ben Emmerson.

Fillimisht, Emmerson e pyeti dëshmitarin se a është e vërtetë që i ishin drejtuar ankesa sa i takon mungesës së një shërbimi të zbulimit brenda Kosovës në kohën kur Veseli ishte jashtë.

Këtë gjë, e pohoi edhe Zyrapi duke konfirmuar se para mbërritjes së Kasumit nuk ishte askush që të bënte diçka në lidhje me ZKZ-në në Shtabin e Përgjithshëm, ndërkohë që Veseli ishte jashtë.

Zyrapi tha se nga Kasumi kishte marrë informata vetëm për lëvizjen e forcave serbe.

Ndërsa, Emmerson e pyeti dëshmitarin nëse arsyeja e emërimit të Kasumit kishte të bënte me faktin se shërbimi i sigurimit nuk ishte në gjendje të kujdesej nga jashtë.

“Nuk është veç arsye e kësaj, këtij shkrimi në këtë kohë se zotëri Kasumin me ardhjen në Shtabin e Përgjithshëm e kam drejtu në këtë drejtim që të jepte informacione për G2-shin ose sektorin e Zbulimit-Kundërzbulimit, nuk kam pas askënd tjetër. Meqenëse ai ka pas përvoja dhe mund ta bënte këtë detyrë dhe e ka ushtru këtë detyrë. Deri sa nuk është kthye zotëri Veseli dhe faktikisht deri kur nuk është bërë ndryshimi i Shtabit dhe kalimi i Veselit prej Shtabit në pjesën civile, faktikisht në Shërbimin Informativ të Kosovës”, u përgjigj dëshmitari.

Pastaj, tha se janë vendosur edhe të tjerë të cilët kanë vazhduar në drejtimin në Shtabin e Përgjithshëm.

“Por, deri në atë kohë, prej janarit të cilin Kasumi është transferu në Shtabin e Përgjithshëm përveçse ka qenë drejtor, e ka kry edhe këtë detyrë për arsye se nuk kemi pas kuadra të tjera, nuk kemi pas resurse tjera që të vendoset”, u përgjigj dëshmitari.

Ai gjithashtu shtoi se Veseli nuk ia kishte lënë asnjë zëvendës që ta kryente detyrën e tij në kohën kur ai ishte jashtë vendit.

“Të paktën mua, zotëri Veseli nuk më ka lënë dikë që ka qenë brenda si zëvendës apo që kryen detyrën e tillë. Kjo është përcaktuar atëherë dhe ai e ka kryer këtë detyrë. Jo veç këtu po ka pas mungesë edhe në vende të tjera, por edhe kërkesat e komandantëve kanë qenë të shpeshta”, tha ai.

Më pas, Emmerson pyeti dëshmitarin se a e kishte caktuar vetë ai që Kasumi t’i kryente këto detyra, e që dëshmitari e pohoi një gjë të tillë.

Më pas, Emmerson tha se në deklaratën e tij, Kasumi kishte thënë se i kujtohet që kur është takuar me Veselin ka qenë pasi ky i fundit ishte kthyer në Kosovë në mars.

Ndryshe, Emmerson tha se planifikon që kundërpyejet e tij t’i përfundojë para pushimit të orës 11:00. Mbrojtja e Selimit tha se i duhen rreth pesë orë e gjysmë për kundërpyetje, kurse ajo e Krasniqit tha se mund t’i duhen rreth tetë orë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit, duke përfshirë edhe Krasniqin i cili herë pas here seancën e përcjellë përmes videolidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi