Punëtorët teknikë të Kuvendit në protestë, Bajrami: Le t’i bindë Muja se i kanë pagat mjaftueshëm të larta
Foto: Laura Hasani

Punëtorët teknikë të Kuvendit në protestë, Bajrami: Le t’i bindë Muja se i kanë pagat mjaftueshëm të larta

Aktuale July 09, 2024 - 10:07

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar për protestën e paralajmëruar të stafit teknik të Kuvendit të Kosovës për shkak të pagave të ulëta.

Bajrami ka thënë se pret nga deputeti i LVV-së Armend Muja të dalë t’u thotë protestuesve se “i kanë pagat mjaftueshëm të larta, se atyre u janë rritur pagat së paku 200 euro në tre vjetët e fundit vetëm se ata nuk po e dinë”.

“Sot punëtorët e kompanisë që ka përgjegjësinë për mirëmbajtën e ndërtesave të Kuvendit protestojnë për shkak të pagave të ulëta. Pres nga deputeti Armend Muja që t’u adresohet protestuesve dhe t’i bindë se ata i kanë pagat mjaftueshëm të larta, se atyre u janë rritur pagat së paku 200 euro në tre vjetët e fundit vetëm se ata nuk po e dinë”.

Bajrami e ka quajtur qeverinë “Kurti” “qeveri të propagandës”.

“Qeveria e propagandës, ka dështu me me ndryshu pagën minimale, ka dobësu sindikatat dhe nuk është marrë me asnjë çështje sociale nëse kjo e fundit nuk ka rezultu direkt në votë e në përkrahje për LVV-në”.

“Organizatat buxhetore si puna e Kuvendit, kur japin kontrata për shërbime kompanive private, një nga kriteret duhet me qenë edhe paga që kanë me i pagu punëtorët. Të paktën kompanitë që financohen nga buxheti i shtetit nuk duhet me leju që paga minimale e atyre punëtorëve me qenë nën pagën minimale të stafit të organizatës. Mos harroni këta janë punëtorë që komplet paga mujore ju shkon në ushqim e fatura të rrymës, e çmimet janë dyfish me të larta në krahasim me vitin 2021”.

Bajrami ka thënë se qe tre vjet në të gjitha matjet vendore e ndërkombëtare, sfida më e madhe e qytetarëve është përballja me çmime të larta.

“Ka tre vjet që në të gjitha matjet vendore e ndërkombëtare sfida me e madhe e qytetarëve të vendit është përballushmëria me çmime të larta. Qeveria me mospunë e mosveprime i ka varfëru qytetarët e vendit, andaj sa me parë që këta përtacë shkojnë në shtëpi është më mirë për vendin”.